RTSH 24 Live

Ekonomi

BB firmos strategjinë me Shqipërinë për 5 vite: 900 mln $ investime në bujqësi, ura e zhvillim ekonomik

17/03/2023

BB firmos strategjinë me Shqipërinë për 5 vite: 900 mln $ investime në bujqësi, ura e zhvillim ekonomik

Bordi i Drejtoreve Ekzekutive të Bankës Botërore ka aprovuar strategjinë 5-vjeçare të partneritetit me Shqipërinë (2023-2027).

Kjo strategji synon të ndihmojë vendin të rimëkëmbet shpejt dhe të transformohet në një ekonomi më të fuqishme, më gjithpërfshirëse, me aftësi ripërtëritëse dhe më të gjelbër.

Strategjia do të përqendrohet në tri sfida kyçe: më shumë dhe vende më të mira pune, përdorim më i mirë i kapitalit njerëzor, dhe rritje e aftësisë përballuese dhe ripërtëritëse ndaj fatkeqësive natyrore dhe goditjeve të llojeve te tjera.

Këto drejtime kryesore do të ndërthuren edhe me iniciativa për zgjerimin e digjitalizimit dhe përfshirjes.

Strategjia e Partneritetit është në përputhje me përparësitë strategjike të Qeverisë dhe mbështetet nga një portofol financiar prej 900 milionë dollarësh.

Bordi gjithashtu ka aprovuar 4 projekte te reja për Shqipërinë:
-Projekti i rindërtimit të urave rezistente (100 milionë $) që synon rehabilitimin e urave në rrezik dhe përmirësimin e sistemeve të tyre të mirëmbajtjes;

-Projekti i Bujqësisë konkurruese dhe të qëndrueshme ndaj klimës (70 milionë $) qe do të përqendrohet në nxitjen e inovacionit në bujqësi, në zgjerimin e ujitjes inteligjente dhe rritjen e aksesit të produketeve bujqësore në tregjet vendase dhe ato të BE-së;

-Projekti i Qasjes Universale në Shërbime Publike me Standard të Lartë 65 milionë $ qe do të ndihmojë digjitalizimin e shërbimeve publike dhe zgjerimin e aftësive digjitale për fëmijët në shkolla;

-Projekti i Financimit te Politikave të Zhvillimit 120 milionë $ qe do të ndihmojë në forcimin e aftësisë ripërtëritëse të ekonomisë dhe qëndrueshmërinë mjedisore të modelit të rritjes së Shqipërisë.

Gazetare: Amela Koçerri

/rtsh.al/