RTSH 24 Live

Ekonomi

Banka e Shqipërisë rrit me 0.5% normën e interesit, shkak çmimet e larta

03/08/2022

Banka e Shqipërisë rrit me 0.5% normën e interesit, shkak çmimet e larta

Rritet me 0.5% norma e interesit. Vendimi është marrë nga Banka e Shqipërisë. Rritja me 0.5% e normës së interesit, e çon atë në nivelin 1.75%. Pas mbledhjes së Këshillit Mbikëqyrës së Bankës, në një dalje për mediat, Guvernatori Gent Sejko tha se „nivelet e larta të inflacionit janë rreziku kryesor për ekonominë e vendit“.

“Çmimet në tregjet botërore po rriten prej luftës në Ukrainë. Bankat kanë rritur normat e interesit dhe pasiguria mbetet ende e lartë. Inflacioni do të kulmojë këtë 6 mujor të dytë. Ne do të normalizojmë politikën monetare, për të mbajtur nën kontroll inflacionin. Inflacioni do kthehet në objektiv në vitin 2024, por projeksionet janë në përditësim në varësi të situatës. Nivelet e larta të inflacionit janë rreziku kryesor për ekonominë e vendit. Për këtë arsye, në respektim të objektivit të stabilitetit të çmimeve, Këshilli Mbikëqyrës vendosi:

-të rrisë me 0. 5 pikë përqindjeje normën bazë të interesit, nga niveli 1.25% në nivelin 1.75%;

-të rrisë me 0.5 pikë përqindjeje normën e interesit të kredisë njëditore, nga niveli 2.25% në nivelin 2.75%;

-të rrisë me 0.5 pikë përqindjeje normën e interesit të depozitës njëditore, nga niveli 0.25% në nivelin 0.75%. Këshilli Mbikëqyrës do të monitorojë me kujdes dinamikën e presioneve inflacioniste në periudhën në vijim. Ai mbetet i gatshëm të ndërhyjë në kohën dhe me forcën e duhur për të garantuar stabilitetin e çmimeve në vend”,- tha Sejko.

/rtsh.al/