RTSH 24 Live

Aktualitet

Balluku inspekton punimet: 120 subjekte në Pogradec duhet të instalojnë impiante të përpunimit të ujërave

30/04/2024

Balluku inspekton punimet: 120 subjekte në Pogradec duhet të instalojnë impiante të përpunimit të ujërave

Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku  deklaroi se edhe në zonën e Pogradecit subjektet kanë nisur të instalojnë  impiante për trajtimin e ujërave të ndotura, duke iu përgjigjur pozitivisht këtij vendimi, në prag të nisjes së sezonit turistik.

Gjatë një inspektimi për zbatimin e aktit normativ për trajtimin e ujërave të ndotur nga subjektet hoteliere që operojnë përgjatë  Liqenit, Balluku vlerësoi angazhimin e subjekteve hoteliere të cilat tashmë janë bindur mbi nevojën e trajtimit të ujërave të ndotur, i cili ndikon drejtpërdrejt në cilësinë e shërbimit.

Zv. kryeministrja Balluku tha se aksioni është fokusuar kryesisht në zonat bregdetare, ku akomodohet edhe fluksi më i madh i vizitorëve.

Afati për përfundimin e instalimit të impianteve është data 1 maj, por Balluku deklaroi se subjekteve duhet ta përfundojnë këtë proces deri më 15 maj.

“Duke qenë se subjekteve u është dashur kohë të merrnin informacionin e duhur për procedurën apo për të gjetur materialet për instalimin e impianteve vet subjektet që duhet të përfundojmë këtë proces deri më 15 maj. Subjektet janë të qartë se nuk është një kërkesë e pabazuar e shtetit pasi e kuptojnë se duhet të mbrojmë produktin më të rëndësishëm turistik që ne kemi, ujërat tona larëse, dhe jam e bindur se të gjithë aktorët do të angazhohen për të përfunduar këtë proces pa u dashur të vëmë në fuqi masat administrative. Nuk duam të shqetësojmë turistët gjatë sezonit veror. Presim 14 milionë turistë dhe mund të kemi edhe më tepër dhe do të ishte mirë të përfundonim sa më shpejt këtë proces“, tha ajo.

Së bashku me inspektorët e taskforcës, të cilët monitorojnë procesin në çdo hap të tij,administratori i AKUK, Klevis Jahaj tha se i gjithë procesi i instalimit të impianteve po realizohet në këtë periudhë, ku edhe strukturat hoteliere kanë nisur përgatitjet për sezonin e ardhshëm, duke mos krijuar kështu pengesa për asnjë prej tyre.

Sipas tij, në zonën e Pogradecit janë 120 subjektet që preken nga ky akt normativ, i cili ka në fokus, përmirësimin e cilësisë së shërbimit.

Agjencia Europiane për Ujërat Larës për vitin 2022 klasifikoi 67.5% të ujërave larës në Shqipërisë me cilësi “shkëlqyeshëm”, ndërkohë që synohet që përmes këtij procesi të arrihet në 95% të ujërave larës me cilësi “shkëlqyeshëm”.

 

/rtsh.al/