RTSH 24 Live

Serbi

2-vjeçarja u zhduk dhe po kërkohej nga Interpoli, Vuçiq: Është vrarë, dy të arrestuar

04/04/2024

2-vjeçarja u zhduk dhe po kërkohej nga Interpoli, Vuçiq: Është vrarë, dy të arrestuar

Serbia i ka ndalur kërkimet për vajzën dyvjeçare të zhdukur prej 26 marsit, pasi ajo është vrarë dhe autorët e kanë rrëfyer krimin.

Përmes një seance të jashtëzakonshme të qeverisë, presidenti Aleksandar Vuçiq (o. Vucic) njoftoi të enjten lajmin se "fëmija nga Bori, Danka Iliq (o. Ilic), është vrarë. Policia arrestoi dy persona që kryen vrasjen e Dankës dhe me sa kuptova e rrëfyen veprën e tyre."

"Nuk e di se me çfarë monstrash kemi të bëjmë," shtoi kreu i shtetit, duke shprehur mirënjohjen për policinë dhe qytetarët e vendit që ndihmuan për ta gjurmuar.

Mediet serbe raportuan se dy të dyshuarit janë punëtorë të një kompanie për shërbimet publike dhe një hetim mjeko-ligjor gjeti gjurmë gjaku në makinën e tyre.

Njëri nga punëtorët dyshohet se e goditi për vdekje dyvjeçaren me automjetin zyrtar që drejtonte dhe me ndihmën e një kolegu e futi në bagazh për ta hedhur më tej trupin anës rrugës.

Sipas së ëmës, gjithçka ndodhi rreth orës 13:52 të 26 marsit, vetëm shtatë minuta pasi vajza ishte zhdukur.

Shpresat për gjetjen e vajzës u ndezën në fundjavë kur në një video u shfaq një fëmijë i vogël në një stacion autobusi në Vjenë, duke ngritur hamendësimet se ndodhej në Austri, ku jeton edhe një komunitet i gjerë nga diaspora serbe.

Të dielën edhe Interpoli njoftoi nisjen e kërkimeve për dyvjeçaren e zhdukur. /AFP, AJ

/rtsh.al/