RTSH 24 Live

Politikë

14 maji/ Berisha: Zarfi, simboli i zi i blerjes së këtyre zgjedhjeve. Batërdi zgjedhore dhe krime monstruoze

26/05/2023

14 maji/ Berisha: Zarfi, simboli i zi i blerjes së këtyre zgjedhjeve. Batërdi zgjedhore dhe krime monstruoze

Ish-kryeministri Sali Berisha ka ripërsëritur akuzat për dhunim të votave në zgjedhjet e 14 majit, ndonëse ka kaluar rreth dy javë nga Vendoret.

Berisha u shpreh se në këto zgjedhje 683 mijë pensionistë morën bonusin zarf, që sipas ish-kryeministrit, përbën simbolin e blerjes së zgjedhjeve.

 “Në raport me votën, të garantoj se dhunimi i votës ka qenë disa kate më i madh në këto zgjedhje se kurrë më parë. Një qeveri nuk ka asnjë vështirësi për të blerë zgjedhjet, duke mos përdorur paratë e pista, por paratë e buxhetit të shtetit.

683 mijë pensionistë morën bonusin zarf, nuk ka ndodhur kurrë dhe nuk mund të ndodhë kurrë.

Këto zgjedhje janë shumë më keq se në vitin 2001. Janë rritur rrogat në mes të fushatës elektorale.

Prandaj nuk duhet të krahasojmë të pakrahasueshmen. Të tjerat janë duke ardhur. Këto janë aspekte. Por këto aspekte i bëjnë këto zgjedhje të pashembullta”, tha Berisha, ndërsa i konsideroi shit-blerjen e votës nga socialistët, si krime monstruoze.

Berisha u ndal te reforma e qeverisë për rritjen e pagave, duke theksuar se një gjë e tillë në fushatë zgjedhore nuk mund të ndodhë, pasi siç tha ai, ndalohet nga Karta e Kopenhagenit, Kodi i Venecias dhe Kodi Zgjedhor.

“Vijmë prapë tek qeveria. Rritja rrogash në fushatë elektorale nuk ka ndodhur kurrë, sepse e ndalon Karta e Kopenhagenit, Kodi i Venecias, e ndalon Kodi Zgjedhor. Por ai u shpall kinezëri.

Nuk ka ndodhur kurrë që kryeministri të bëjë fushatë dhe të thotë, po votuat ata, nuk keni para.

Nuk ka ndodhur kurrë ndonjëherë në të gjithë këtë batërdi zgjedhore që të pushtohen nga administrata qendrat e votimit dhe të shkelet ligji me qindra e mijëra herë. Këto janë krime monstruoze elektorale”, tha Berisha.

/rtsh.al/