RTSH 24 Live

Sport

Shevçenko në krye të federatës ukrainase, ish-futbollisti mori 93 vota nga 94 pjesëmarrësit në Kongres

25/01/2024

 Shevçenko në krye të federatës ukrainase, ish-futbollisti mori 93 vota nga 94 pjesëmarrësit në Kongres

Tashmë është zyrtare, ish ylli i futbollit ukrainas Andri Shevçenko ( Andriy Shevchenko)  është presidenti i ri i Federatës së Futbollit të Ukrainës. Ish-sulmuesi i Dynamo Kievit, Milanit dhe Chelseat, ishte i vetmi kandidat në zgjedhjet e zhvilluara të mërkurën gjatë Kongresit të XXVI të Federatës, që u mbajt në Kiev. 

Sheva ka marrë 93 vota nga 94 anëtarët me të drejtë vote. Nominimi i tij u shoqërua me duartrokitje të gjata nga delegatët. 

Nga viti 2016 deri në vitin 2021, legjenda e futbollit ukrainas ishte në krye të kombëtares. Tepër i emocionuar, Sheva thotë edhe fjalët e para si president i Federatës. "Sot filloj rolin tim të ri si president i Federatës së Futbollit të Ukrainës. Na pret një detyrë me përgjegjësi të madhe: të zhvillojmë futbollin në momentin më të vështirë në historinë e Ukrainës". 

Menjëherë pas zgjedhjeve mbërritën urimet nga Milani, klubi me të cilin Shevchenko shkroi faqe të paharrueshme të futbollit botëror. "Përgëzime dhe urimet më të mira për Andriy Shevchenkon, si President i ri i Federatës së Futbollit të Ukrainës. Suksese Sheva!" Shkruhej në postimin e klubit kuqezi, me të cilin Shevçenko përveç trofeve të shumta fitoi edhe Topin e Artë. 

/ rtsh.al /