RTSH 24 Live

Aktualitet

Konkurs Ndërkombëtar për ndërtimin e godinave të reja, Veliaj: Çdo investim i ri rrit vlerën e pronës

17/09/2024

 Konkurs Ndërkombëtar për ndërtimin e godinave të reja, Veliaj: Çdo investim i ri rrit vlerën e pronës

Në praninë e kryeministrit Edi Rama dhe kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj u zhvillua sot në kryeqytet një Konkurs Ndërkombëtar, ku 10 studio prestigjioze paraqitën përpara jurisë projekt-idetë për 4 zhvillime të reja, të cilat do t’i hapin rrugë një qasje të re për krijimin e zyrave dhe shërbimeve bashkëkohore për administratën publike.

Veliaj deklaroi se këto konkurse janë tashmë një traditë që në kohën kur Edi Rama drejtonte Bashkinë e Tiranës dhe që e ka kthyer Tiranën në laboratorin më të madh të arkitekturës, të estetikës, të së bukurës dhe shijes që prodhon ekonomi.

“Tirana është sot hapësira ku jeton 40% e popullsisë së Shqipërisë, një hapësirë që prodhon 50% të ekonomisë së vendit. Kjo do të thotë se çdo investim në Tiranë, tamam si ata rrathët koncentrikë, ka fuqinë që të shumoher në të  gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë”, tha Veliaj.

Ai renditi disa nga projektet që Bashkia e Tiranës ka bërë me urbanistikën dhe që kanë prodhuar ekonomi për vendin.

Sot kemi stadiumin kombëtar, Pazarin e Ri, territore që kanë qenë të shkreta, por që kanë prodhuar ekonomi, përtej vetëm funksionit bazë të atij projekti. Çdo investim tjetër duam ta shohim në këtë prizëm, se si është i gatshëm për të përballuar ndryshimet klimaterike të së ardhmes, se si e ul kontributin jo vetëm në energji, por edhe gjurmën e karbonit në qytetin tonë”, u shpreh Veliaj.

Ai tha se çdo projekt i ri i rrit vlerën pronës dhe rrit cilësinë e gjithë zonës ku investohet, duke sjellë një realitet të ri për kryeqytetin.

/rtsh.al/