RTSH 24 Live

Politikë

Zyra zgjedhore e "Bashkë Fitojmë" jashtë rregullave, Kaziaj: PS me billboarde në çdo rrugë, monitorimi të jetë i barabartë

24/04/2023

Zyra zgjedhore e "Bashkë Fitojmë" jashtë rregullave, Kaziaj: PS me billboarde në çdo rrugë, monitorimi të jetë i barabartë

Në mbledhjen e sotme të KQZ u diskutua për hapjen e një zyre zgjedhore nga ana e Koalicionit “Bashkë Fitojmë” shumë afër KZAZ-së nr. 37, e cila sipas monitoruesit, nuk ka respektuar rregullat e distancës dhe është në kundërshtim me udhëzimin nr.6.

Por, përfaqësuesi i koalicionit, Altin Kaziaj, e konsideron tendencë kundërvënie kundrejt opozitës duke shtuar se personat e paguar për vëzhgimin e fushatës zgjedhore duhet të shohin billboardet e vendosur nga PS.

Ai u shpreh se nuk mund të ketë trajtim të njëanshëm të këtyre çështjeve, por KQZ të shohë edhe veprimet e PS, jo vetëm ruajtjen e distancës së hapje së së zyrës zgjedhore të koalicionit.

Nga data 15, mund të konstatojmë në rrugët e Tiranës dhe të Shqipërisë, billboard-era të mëdhenj, vetëm në rrugën dytësore nga pjesa e mbikalimit të aeroportit deri të casa italia 30 billboarde denigruese, seksiste, të z. Kryeministër.

Këto gjera ua kanë vënë në dijeni, ata që janë personat e paguar për vëzhgimin jo të njëanshëm. Janë mbi 30 billboarde vetëm në 1 rrugë.

Në çdo rrugë keni atë që është shpëtimtari i vendit dhe këta që janë përfaqësuesit e opozitës pa ngjyra, sepse atë stil denigrues bën gjithmonë.

Edhe pse keni sjellë për shqyrtim një akt që është hapur një zyrë zgjedhore, mendoj se për barazi të armëve shihni ato që po bën qeveria, PS dhe pastaj të merreni me zyrat e hapura nga "Bashkë Fitojmë."

Nga data 15 me çeljen e fushatës, ka filluar një ushtri reklamimi në çdo hapësirë publike dhe jo publike të bashkive. Edhe misioni OSBE-ODIHR të monitorojë papajtueshmërinë e një lëvizje të tillë nga ana e PS”, tha ai teksa refuzoi të shprehet mbi hapjen e zyrës zgjedhore nga ana e koalicionit, duke theksuar se KQZ mund të shqyrtojë këtë çështje vetëm kur të sillen të barabartë me partitë politike.

Nga ana e tij, kreu i KQZ, Ilirjan Celibashi u shpreh se fillimisht duhet të ketë një komunikim me përfaqësuesit e subjektit dhe nëse verifikohet distanca e sigurisë mes zyrës zgjedhore dhe institucionit, të zgjidhet me mirëkuptim.

“Për rastin konkret, mendoj që të bëhet një komunikim paraprakisht me përfaqësuesit e subjektit dhe nëse do verifikohet, se është çështje matematike, distanca për të cilën po diskutojmë mes zyrës zgjedhore dhe institucionit publik, do kemi konsensusin ta zgjidhim.

Seanca shtyhet në orën 16:00 po sot”, tha Celibashi.

Sakaq, lidhur me deklaratën e bërë nga përfaqësuesi i koalicionit në KQZ, për vendosjen e billboard-et e vendosur nga PS, Celibashi u shpreh ka filluar procesi i shqyrtimit administrativ.

“Ne kemi vendosur të hapim procedurën administrative të shqyrtimit të denoncimeve në lidhje me mënyrën se si nga pikëpamja vizuale në rrugët e qyteteve po prezantojnë fushatën elektorale dhe PS dhe parti të tjera. Ka filluar procesi i shqyrtimit administrativ. Por rasti konkret është sjellë në vëmendje nga monitoriuesit e KQZ.

Për shkak të volumit të dokumentacionit që do duhet të vlerësojmë shqyrtimet janë në radhë nesër e në vazhdim. Nuk ka qasje të diferencuar të gjykimit”, tha ai.

Pas diskutimit shqyrtimi u shty në seancën e orës 16:00. Po në këtë seancë do shqyrtohet dhe projektvendimi “Për caktimin e partive politike që do të propozojnë anëtarin e tretë dhe të katërt të Grupeve të Numërimit të Votave, për zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore të datës 14 maj 2023”.

/rtsh.al/