RTSH 24 Live

Aktualitet

Zjarri në katin -1, nis puna për rikonstruksionin e Urgjencës së QSUT, gati në fund të majit

23/04/2024

Zjarri në katin -1, nis puna për rikonstruksionin e Urgjencës së QSUT, gati në fund të majit

Kanë nisur punimet e rikonstruksionit të Urgjencës polivalente në QSUT, pas përfshirjes nga zjarri të katit -1.

Lajmi është bërë me dije nga Ministrja e Shëndetësisë Albana Koçiu e cila deklaron se po punohet me ritme të shpejta për rikthimin sa më parë në punë të shërbimeve për urgjencat kardiovaskulare, shërbim ky që pas zjarrit që ra në muajin shkurt, po ofrohet në Spitalin Universitar “Shefqet Ndroqi”, Spitalin Rajonal Memorial Fier dhe Spitalin Rajonal të Shkodrës.

Prej disa ditësh në Urgjencën e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” ka nisur puna për riparimin e dëmit në rrjetin elektrik, të shkaktuar nga incidenti i ndodhur në muajin shkurt. Në luftë me kohën për të rikthyer sa me parë në këtë strukture spitalore dhe shërbimin për urgjencat kardiovaskulare, shërbim që aktualisht po ofrohet në Spitalin Universitar “Shefqet Ndroqi”, Spitalin Rajonal Memorial Fier dhe Spitalin Rajonal të Shkodrës.

Shërbimi i Urgjencës në QSUT, vijon çdo ditë të ofrojë shërbim për të gjitha urgjencat e sëmundjeve të brendshme, gastrohepatologji, nefrologji, hematologji, endokrinologji, dermatologji, alergologji, reumatologji si dhe të gjitha urgjencat neurologjike”, shkruan Koçiu në rrjetin social Facebook. 

Sipas gazetares së RTSH, Sonila Mlloja, riparimi i dëmit të shkaktuar po kryhet në rrjetin elektrik. Urgjenca e QSUNT-së, sipas Ministrisë së Shëndetësisë, do t’i kthehet normalitetit në fund të muajit maj.

30 milionë lekë është vlera e dedikuar e cila është parashikuar nga inxhinierët e Universitetit Politeknik dhe ka marrë oponencën përkatëse nga inxhinierët e Institutit të Ndërtimit. Është ky ekip ekspertësh të cilët garantojnë kthimin në situatë normale pune të urgjencës.

Kati -1 i Urgjencës u përfshi nga flakët më 11 shkurt, por fatmirësisht nuk pati persona të lënduar. Prokuroria e Tiranës nisi hetimet lidhur me zjarrin  ndërsa regjistroi më 29 shkurt procedimin penal për veprën “shkatërrim i pronës me zjarr”, pa persona në hetim.

/rtsh.al/