RTSH 24 Live

Maqedoni e Veriut

Zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut, gazetari nga Tetova: Partitë shqiptare duhej të dilnin me një kandidat. Fajtore edhe Prishtina

08/05/2024

Zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut, gazetari nga Tetova: Partitë shqiptare duhej të dilnin me një kandidat. Fajtore edhe Prishtina

Qytetarët e Maqedonisë së Veriut votojnë sot (8 maj) për të zgjedhur presidentin dhe Parlamentin e ri të vendit në zgjedhje të dyfishta. Në këto zgjedhje, partitë shqiptare garojnë të ndara në dy koalicione, Fronti Evropian dhe Koalicioni VLEN, por sipas gazetarit nga Tetova, Seladin Xhezairi, ata duhej të kishin dalë me një kandidat.

Në një lidhje me Skype për RTSH24, Xhezairi tha se nëse ata do të kishin qenë të korrdinuar, në balotazh do të shkonte një kandidat shqiptare.

Ai akuzoi Prishtinën zyrtare si “fajtore” për ndarjen e partive shqiptare, për shkak të mbështetjes ndaj Koalicionit VLEN dhe kandidimit të 3 përfaqësuesve të Vetëvendosjes në garën për legjislaturën e re të Maqedonisë së Veriut.

Para 5 vitesh, falë votës së shqiptarëve, presidenti aktual e mori verdiktin qytetar. Tjetër punë do të kishte qenë sikur partitë politike shqiptare të kishin bashkërenditur veprimet e tyre dhe të dilnin me një kandidat. Në raundin e parë të zgjedhjeve, dyshja Osmani-Taravari siguruan diku te 200 mijë vota dhe po të kishin qenë të koordinuara partitë politike shqiptare, besoj se në balotazh do të shkonte kandidati shqiptar. Kujtoj se meritë, që të mos them faj, e ka Prishtina zyrtare që doli në mbështetje të frontit opozitar shqiptar me shkurtesën VLEN duke kandiduar edhe 3 përfaqësues të VV në garat për zgjedhjen e legjislaturën e re të Maqedonisë së Veriut”, u shpreh ai.

Në garë për president janë dy kandidatë, fituesja e rundit të parë, Gordana Silanovska-Davkova e VMRO-DPMNE-së në opozitë, dhe presidenti aktual, Stevo Pendarovski, që mbështetet nga Lidhja Social Demokrate në pushtet. Në rundin e parë, Davkova i fitoi 363.000 vota, apo 40 për qind - ndërsa kundërshtari i saj Pendarovski rreth 180.000 vota, apo 19 për qind.

/rtsh.al/