RTSH 24 Live

Kosova

Vjosa Osmani merr zyrtarisht detyrën e Presidentes së Kosovës

06/04/2021

Vjosa Osmani merr zyrtarisht detyrën e Presidentes së Kosovës

Dy ditë pas votimit të saj si presidente në Kuvendin e Kosovës, Vjosa Osmani ka marrë zyrtarisht detyrën e Presidentes së Republikës së Kosovës.  Detyrën e presidentit Osmani e pranoi nga ushtruesi i detyrës i deritanishëm i pozitës së presidentit, Glauk Konjufca, të shoqruar me një ceremoni të trupave të Togut Ceremonial të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), para oborrit të ndërtesës së Kuvendit të Kosovës, brenda së cilës ndodhen edhe zyrat e Presidencës kosovare. Të ftuar në këtë ceremoni, pos stafit presidencial, bashkëshortit, fëmijëve dhe Kryetarit të Kuvendit Glauk Konjufca ishte edhe kryeministrit Albin Kurti, një numër i vogël mysafirësh, përfshirë ambasadorët e vendeve të QUINT-it. 
Presidentja e re Vjosa Osmani do të vazhdojë në ditën e parë të marrjes së detyrës me një sërë aktivitetesh. Në ditën e parë të punës Osmani do të presë në zyrën e saj xhudistët kampionë nga Peja, nxënësit e Institutit ATOMI, si dhe do ta vizitojë Qendrën e Vaksinimit në Prishtinë. Po ashtu, ajo do të bëjë homazhe tek familja Jashari në Prekaz dhe varri i ish-presidentit Ibrahim Rugova.
 Ditën e sotme Osmani do ta mbyllë duke pritur në orën 5 pasdite komandantin e FSK-së, gjenerallejtënant Rahman Rama, dhe gjeneralë të tjerë. 
Vjosa Osmani u zgjodh presidente të dielën në një seancë të veçantë për zgjedhjen e presidentit, me 71 vota pro. Osmani ushtroi detyrën e presidentes për disa muaj pas largimit të ish-presidentit Hashim Thaçi ndaj të cilit Gjykata Speciale ngriti aktakuzë vitin e kaluar, meqë këtë të drejtë asaj ia jepte Kushtetuta sa ishte në pozitën e Kryetares së Kuvendit. Mandati i Presidentit të Kosovës zgjat pesë vjet.