RTSH 24 Live

Politikë

Trajtimi dhe riintegrim në tregun e punës së emigrantëve, Balla: Strategjia e krijuar sipas direktivave të BE

02/05/2024

Trajtimi dhe riintegrim në tregun e punës së emigrantëve, Balla: Strategjia e krijuar sipas direktivave të BE

Këshilli i Ministrave ka miratuar dy strategji dhe plan pune, ku njëra lidhet me strategjinë e trajtimit të emigracionit, kërkesave për azil dhe riintegrimin e tyre në tregun e punës.

Ministri i Brendshëm, Taulant Balla tha se kjo strategji trajton një nga sfidat e shekullit në të gjithë botën.

Balla tha se të gjitha protokollet lidhur me emigrimin janë konsultuar dhe bërë në bazë të direktivave të BE.

“Së pari, dua të ndaj me ju lajmin e miratimit nga ana e Këshillit të Ministrave të Strategjisë Kombëtare për Migracionin për vitet 2024 - 2030, dhe Planin e Veprimit për dy vitet e para 2024 - 2026. Fokusi ndahet në disa drejtime kryesore, së pari ka të bëjë me migracionin e paligjshëm të qytetarëve shqiptarë, e dyta ka të bëjë me frenimin e azilkërkimit, e treta lidhet me reintegrimin në tregun e punës dhe në shoqërinë shqiptare të emigrantëve.Synimi ynë është në kuadër të vizionit Shqipëria 2030, të rrisim ofertën për të gjithë vëllezërit dhe motrat tona që janë në emigracion për t’u rikthyer në Shqipëri.Për këtë na duhet kjo strategji dhe ky dokument i rëndësishëm, që duhet të mbart në vetvete gjithë masat për një riintegrim sa më të shpejtë, qoftë në tregun e punës, qoftë në shoqëri.Tjetra lidhet dhe me një dimension tjetër të migracionit që ka të bëjë me menaxhimin e flukseve migratore pra të emigrantëve, që vijnë nga vende të tjera dhe kryesisht e përdorin Shqipërinë si një  vend tranziti, ku Shqipëria duhet të ketë gati gjithë dokumentacionin që lidhet me trajtimin e grupeve vulnerable, që lidhet me trajtimin e kërkesave për azil.Kështu që në këtë këndvështrim  miratimi i sotëm i kësaj strategjie kombëtare, e cila dua ta nënvizoj, është një dokument i shumë-konsultuar në të gjitha nivelet, por po ashtu reflekton dhe të gjitha dokumentet referuese të BE, kryesisht strategjitë por dhe direktivat e BE-së lidhur me sfidën që do e quaja unë të shekullit, që ka të bëjë me menaxhimin e flukseve migratore dhe menaxhimit në tërësi.

E dyta, është një lajm tjetër i mirë që ka të bëjë me vijimin e zbatimit të marrëveshjeve që kemi firmosur me vende të Ballkanit Perëndimor me fokusin e Ballkanit të hapur. Sot kemi miratuar protokollin për ndërlidhjen e skemave të identifikimit, në mënyrë që përmes një numri të identifikimit të Ballkanit Perëndimor, të gjithë qytetarët, e po kështu të gjitha mënyrat dhe skemat e identifikimit të ndërlidhen me njëra-tjetrën në mënyrë që të lehtësojmë duke marrë tregun e punës, të secilit prej vendeve firmëtare të qytetarëve të vendeve tona, ku do të forcojmë më tej zhvillimin e marrëveshjes dhe po ashtu do të rrisë integrimin e tregjeve të punës të Ballkanit të hapur dhe të Ballkanit Perëndimor në tërësi”, tha Balla.

/rtsh.al/