RTSH 24 Live

Kosovë

Themelimi i Asociacionit, Ambasadori Malaj: Kosova duhet ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese

06/01/2024

Themelimi i Asociacionit, Ambasadori Malaj: Kosova duhet ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese

Ambasadori ynë në Prishtinë, Petrit Malaj është shprehur se Kosova duhet të themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe duke e dërguar atë në Gjykatën Kushtetuese.

Janë gjëra të marra përsipër, po flas në këtë rast për Kosovën e mos të flas për Serbinë dhe padyshim që Serbia vendos ngërçet e veta dhe asnjë herë nuk shkon më tej, sa thotë ‘po’, e thotë ‘jo’ të nesërmen. Unë dua të them që Kosova duhet hedh hapat e saj dhe Shqipëria në fakt ka qenë në këtë suazë ose në këtë kahe të veprimit politik këtu në Kosovë ku ka mbështetur planin franko-gjerman dhe bërjen e Asociacionit. Kryeministri jonë (Edi Rama) ka paraqitur edhe një draft, por nuk ishte e thënë që të ishte ai draft. Kosova mund ta bëjë vetë draftin apo në rastin konkret që i është servirur nga aleatët ndërkombëtar. Por, unë di të them që Kosova e ka hedhur hapin e duhur dhe kryeministri jonë e ka mbështetur këtë gjë. Kryeministri Rama duke thënë që “Kosova tashmë ka bërë atë që duhet të bëjë, mirëpo ngelet të bëhet implementimi i saj. Kuptohet që aleati ynë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, QUINT-i të gjithë e kanë thënë dhe e thonë fort që ky Asociacion nuk do të ketë kompetenca ekzekutive dhe nga ana tjetër duhet patjetër të ekzekutohet patjetër duke shkuar në Gjykatën Kushtetuese, duke marrë vërejtjet siç po ndodhë”, thekson Malaj.

Në intervistën e dhënë për KosovaPress, ambasadori Malaj theksoi se marrëdhëniet mes Prishtinës dhe Tiranës në aspektin politik konsiderohen ndër më të mirat e mundshme që prej shpalljes së pavarësisë më 2008.

Marrëdhëniet janë shumë të mira mes Kosovës dhe Shqipërisë. E them këtë edhe nga marrëdhëniet që kam me politikën këtu në Kosovë, por edhe me njerëzit e thjeshtë, kështu që ato janë të mira dhe janë më të mirat e mundshme ndoshta që prej shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Kjo është edhe fjala që kam marrë edhe nga politikanët këtu në Kosovë. Gjithçka funksionon, gjithçka ka atë lidhjen e vet në fusha të ndryshme qoftë për siguri, bashkëpunimin tregtarë, rend e shëndetësi, arsim dhe kulturë. A ka mundësi për të bërë shumë më tepër pa dyshim që ka, prandaj, janë institucionet qoftë në Kosovë dhe Shqipëri”, thotë Malaj.

Malaj tha se mes dy qeverive shqiptare janë nënshkruar mbi 50 marrëveshje, të cilat kanë nisur të zbatohen, dhe ndërtimin e hekurudhës Prishtinë – Durrës e quajti një projekt madhor për zhvillim ekonomik.

Kemi shumë marrëveshje të nënshkruara mes dy qeverive, asaj të Kosovës dhe Shqipërisë. Kam parë realizimin e tyre faktik. Rreth 54 marrëveshje nëse nuk gaboj prej tyre. Ndërsa, jemi duke parë atë që na ka ngecur dhe pse ka ndodhur pa ecur më tej. Prandaj jam këtu pikërisht për të ndikuar për t’i zbutur këto situata ngërçi që mund të jenë ndonjë moment tek ndonjë marrëveshje, të cilat në shumicën e rasteve ngelin nga situata burokratike, por jo për vullnet dhe dëshirë”, thekson ai.

Diplomati Malaj tha se eksportet shqiptare u rritën me 20% në vitin 2023, ndërsa shtoi se shqiptarët e Kosovës po shprehin dashurinë e tyre për Shqipërinë duke i bërë pushimet në bregdetin tonë duke i dhuruar financat e tyre për shtetin shqiptar.

/rtsh/