RTSH 24 Live

Kosova

Tensionet në veri të Kosovës, Kurti: Vuçiç dhe Petkoviç, përgjegjësit kryesorë për gjendjen e krijuar

31/07/2022

Tensionet në veri të Kosovës, Kurti: Vuçiç dhe Petkoviç, përgjegjësit kryesorë për gjendjen e krijuar

Lidhur me zhvillimet e tensionuara në veri të Kosovës, ka reaguar edhe kryeministri, Albin Kurti. Ai ka thënë se presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç dhe Petar Petkoviç, janë përgjegjësit kryesorë për gjendjen në Veriun e Kosovës.

"Ende pa filluar lëshimi ynë i dokumenteve të hyrje-daljeve në vendkalimet kufitare me Serbinë, strukturat ilegale serbe në veri filluan me bllokim rrugësh dhe të shtëna armësh. Atyre i’u paraprinë deklaratat, takimet dhe mbledhjet e frikës dhe kërcënimit në Beograd dhe në Rashkë. Aty u planifikuan dhe u nxitën këto veprime agresive që po ndodhin sot. Vuçiç dhe Petkoviç janë përgjegjësit kryesorë për trazirat. Qeveria e Republikës së Kosovës është demokratike e progresiste, që e don, respekton dhe zbaton ligjin dhe kushtetushmërinë, paqen dhe sigurinë, për të gjithë qytetarët pa dallim dhe për mbarë vendin tonë të përbashkët. Organet e rendit dhe të sigurisë së shtetit tonë po mbledhin informacion, po mbikëqyrin gjendjen dhe do të veprojnë, në mbrojtje të ligjit dhe të qytetarëve, të sovranitetit dhe integritetit tonë territorial. Përcjellni me vëmendje njoftimet nga qeveria jonë, nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe Policia e Kosovës, dhe, mos lejoni të dezinformoheni nga mediet e Beogradit zyrtar apo edhe ndonjë medie në Kosovë, që me vetëdije u shërben atyre apo pa vetëdije bie pre e tyre. Orët e ditët e javët në vijim mund të jenë sfiduese e problematike. Po përballemi me nacional-shovinizmin serbomadh që e njohim mirë. Do të punojmë ditë e natë, do të jemi në krye të detyrës, për juve si qytetarë dhe për Republikën tonë demokratike. Dhe, së bashku arrijmë të ngadhënjejë rendi e ligji duke i vendosur ato në çdo cep të vendit", tha Kurti.

/rtsh.al/