RTSH 24 Live

Politikë

Sulmi me armë ndaj Top Channel/ Flutura Açka: Rama bën vetë terror me tritol, AMA të monitorojë gjuhën e urrejtjes në TV

28/03/2023

Sulmi me armë ndaj Top Channel/ Flutura Açka: Rama bën vetë terror me tritol, AMA të monitorojë gjuhën e urrejtjes në TV

Kryetarja e Komisionit të Medias Flutura Açka i ka bërë thirrje kryeministrit Edi Rama që të marrë seriozisht sulmin e ndodhur ndaj televizionit kombëtar Top Channel. Në një deklaratë për mediat, nga kryesia e Kuvendit, Açka ka theksuar se Rama me sjelljen e tij politik prodhon intimidim tek mediat që ai nuk i kontrollon dot.

“I bëjmë thirrje Kryeministrit shqiptar, t’i lërë sarkazmat me të dehur e sarhoxhë që shëtisin me kallashnikovë netëve shqiptare në gjueti për terror, dhe ta marrë seriozisht këtë ngjarje të frikshme.

Mjafton t’i kujtojmë Kryeministrit shqiptar të shkujdesur dukshëm me krimin, se mjafton djegia e makinës diku për të humbur gjurmët, për të kuptuar skenarin dhe të gjithë regjizurën e banditëve të pastër.

Sigurisht, një Kryeministër që bën vetë terror me tritol ditën për diell, ditën e festave, në zenit të verës në mes të plazhistëve, vetëm e vetëm të dëshmojë forcën e pushtetit, vetëm e vetëm të dëmtojë asetet e një medieje që ai nuk e kontrollon dot, e trajton si një shaka dhe lojë luftash barabitjen e krimit me shtetin, pse jo edhe duke e konkurruar atë plotësisht”, u shpreh Açka.

Ajo i bëri apel edhe ministrit të Brendshëm Bledi Çuçi që policia të gjejë sa më parë autorët e sulmit ndaj Top Channel.

“Ndaj, duke përcjellë mbështetjen tonë publike dhe solidarizimin me TOP Channel, me gazetarët dhe të gjithë stafin e tyre, ne i bëjmë thirrje Ministrisë së Punëve të Brendshme, edhe personalisht zotit Çuçi, Policisë së shtetit, Policisë së Tiranës, të gjejnë sa më shpejt fajtorët dhe t’i çojnë ata para drejtësisë, të sigurojnë mbështetjen e tyre të pakufishme mbi median shqiptare, cilado qoftë ajo, edhe kur jo gjithmonë duartroket kinse sukseset e qeverisë shqiptare. Para ligjit dhe Kushtetutës së Shqipërisë të gjithë jemi të barabartë”, theksoi Açka.

Si drejtuese e Komisionit Parlamentar për Edukim dhe Mjetet e Informimit Publik, Açka ka kërkuar që klasa politike të ndalë gjuhën e ashpër dhe të urretjes që të mos bëhet frymëzim për krimin. Ajo i ka sugjeruar edhe Autoritetit të Mediave Audiovizive që të monitorojë rastet e kësaj natyre për të ndalur gjuhën e urretjes në media.

I bëjmë thirrje AMA-s të monitorojë me seriozitet të lartë rastet e shpeshta të kësaj natyre, në të cilat janë shfaqur ftesat publike për ndëshkim nga cilido shëtitës e bujtës i televizioneve shqiptare, si akte të një papërgjegjshmërie të lartë dhe nxitëse të përplasjeve në prag të fushatës së zgjedhjeve vendore”, ka theksuar Açka.   

/rtsh.al/