RTSH 24 Live

Botë

Sulme ruse në Odesa, 9 të plagosur pas sulmit me dron në qytetin port të Ukrainës

23/04/2024

Sulme ruse në Odesa, 9 të plagosur pas sulmit me dron në qytetin port të Ukrainës

Nëntë persona u plagosën të martën në portin e Odesës pas një sulmi me dron rus, kanë thënë zyrtarët ushtarakë ukrainas. Katër nga të plagosurit janë fëmijë, ndërsa të gjithë po marrin mjekim në spital.

Shërbimi Shtetëror i Emergjencave të Ukrainës tha se sulmet shkaktuan dëme në të paktën 14 godina banimi, ndërsa u shpëtuan 34 persona përfshirë edhe tre fëmijë. Sipas këtij Shërbimi u krijua një vendstrehim për ata që u detyruan të linin shtëpitë e tyre dhe iu ofrua ndihmë psikologjike 27 personave. Shërbimi i Emergjencës tha se 42 zjarrfikës me 10 automjete u angazhuan pas sulmeve për të shuar zjarrin dhe për të evakuuar banorët e prekur. 

Ndërkohë, forcat ajrore të Ukrainës thanë se shkatërruan 15 nga 16 dronët e lëshuar nga Rusia mbi rajonet e Odesas, Kievit, Mikolaivit dhe Çerkasit. Forcat ajrore thanë në një deklaratë në aplikacionin e mesazheve “Telegram” se Rusia lëshoi gjithashtu dy raketa balistike me rreze të shkurtër veprimi, por nuk dha detaje se çfarë ndodhi me to. Qyteti port ukrainas në Detin e Zi ka qenë në shënjestër të sulmeve me raketa dhe dronë që nga fillimi i luftës dyvjeçare të nisur nga Rusia në shkurt të vitit 2022.

/rtsh/