RTSH 24 Live

Aktualitet

Siguria Publike, Balla firmos në Abu Dhabi marrëveshjen për projektin “Smart City”

23/04/2024

Siguria Publike, Balla firmos në Abu Dhabi marrëveshjen për projektin “Smart City”

Gjatë vizitës zyrtare që po zhvillon prej 2 ditësh në Abu Dhabi, ministri i Brendshëm Taulant Balla firmosi marrëveshjen për zhvillimin e projektit SMART CITY në disa qytete të Shqipërisë, me qëllim rritjen e sigurisë në komunitet, mbrojtjen e jetës, pronës private si dhe monitorimin e trafikut rrugor.

Pas ceremonisë, ministri Balla tha se Emiratet e Bashkuara Arabe janë shembulli më i mirë i ekselencës dhe standardit të lartë të sigurisë sa i përket monitorimit të trafikut dhe sigurisë publike.

Memorandumi i Mirëkuptimit dhe bashkëpunimit që sapo kemi firmosur ka të bëjë pikërisht me një projekt të madh, i cili do të shtrihet në të gjitha qytetet kryesore të vendit si hap i parë, pastaj për t’u shtrirë në të gjithë vendin në një fazë të dytë me qëllim rritjen e parametrave të sigurisë publike përmes një sistemi monitorimi me kamera e radarë”, u shpreh Balla.  

Sipas ministrit të Brendshëm dhe marrëveshjes së firmosur radarët do të përdoren për garantimin  të sigurisë rrugore në të gjitha qytetet ku do të zhvillohet ky projekt.

Ndërkohë që pjesa tjetër me kamera do të rritet sigurinë publike por dhe do të na mundësojë një rialokim të forcave policore nga rrugët për shërbime të tjera, sepse do të jetë një monitorim 24 orë duke përdorur fjalën më të fundit të teknologjisë, përfshirë këtu edhe inteligjencën artificiale si një hap i rëndësishëm drejt një sistemi të ri monitorimi dhe garantimi të sigurisë publike”, u shpreh ministri i Brendshëm.

/rtsh.al/