RTSH 24 Live

Kosova

Shtëpia e Bardhë: Biden i shqetësuar për shkeljet e të drejtave të njeriut në Kinë

07/10/2021

Shtëpia e Bardhë: Biden i shqetësuar për shkeljet e të drejtave të njeriut në Kinë

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki deklaroi se presidenti i SHBA-së, Joe Biden në kontaktet e tij të drejtpërdrejta me presidentin e Kinës, Xi Jinping ka shprehur shqetësimet e tij lidhur me shkeljet e të drejtave të njeriut, përfshirë rajonin autonom ujgur Xinjiang.

Në një konferencë për media, Psaki bëri vlerësime lidhur me takimin në internet mes Bidenit dhe homologut të tij kinez Jinping i cili planifikohet të zhvillohet përpara fundit të vitit.

E pyetur nëse në takimin në fjalë do të sjellë Biden në rend dite shqetësimet e tij rreth Kinës dhe shkeljet ndaj të drejtave të njeriut, zëdhënësja Psaki u përgjigj: "Ndryshe nga presidenti i mëparshëm (Donald Trump), Biden në çdo kontakt të tij të drejtpërdrejt me presidentin Jinping sjell në rend dite shqetësimet e tij dhe shkeljet e të drejtave të njeriut. Këtë e bëjmë në bisedimet në çdo nivel. Po ashtu ne shprehim shqetësimet tona edhe lidhur me të drejtat e njeriut në rajonin autonom ujgur Xinjiang".

Ajo vuri në dukje se për çështjen e të drejtave të njeriut në rajonin autonom ujgur Xinjiang punojnë bashkë edhe me komunitetin ndërkombëtar. Psaki nënvizoi se është e rëndësishme për ata që të bisedojnë me Kinën në nivelin e liderëve dhe se dialogu duhet të vazhdojë./AA