RTSH 24 Live

Botë

Shkeli urdhrin e gjykatës, Trump gjobitet me 9 000 dollarë

01/05/2024

Shkeli urdhrin e gjykatës, Trump gjobitet me 9 000 dollarë

Ish presidenti i SHBA-së, Donald Trump është gjobitur me 9 000 dollarë për shkelje të urdhrit të gjykatësit që e ndalon atë të  sulmojë dhe të bëjë deklarata publike për dëshmitarët, anëtarët e jurisë dhe të tjerë të lidhur me çështjet për  të cilat është nën hetim.

Gjykatësi i Nju Jorkut, Juan Merchan gjobiti Trump, pasi gjeti shkelje të urdhrit të vendosur ndaj tij.

Prokurorët thanë se Trump e shkeli urdhrin 10 herë, ndërsa vetë ish presidenti pretendon se urdhri i vendosur ndaj tij “shkel të drejtat e tij të lirisë së fjalës”.

Gjithashtu Trump pritet të përballet të enjten (2 maj) në një seancë dëgjimore për 4 raste të tjera ku prokurorët thonë se ai ka shkelur urdhrin.

Urdhri ndaj Trump u vendos në fund të muajit mars dhe që nga ajo kohë Trump ka sulmuar dëshmitarë dhe familjarë të prokurorëve e gjykatësve që ndjekin çështjet. Prokurorët argumentuan se Trump vazhdoi të shkelte "me dashje dhe në mënyrë flagrante" urdhrin gjatë gjyqit, raporton BBC.

Trump akuzohet se ishte pjesë në një skemë të paligjshme për të ndikuar në fushatën presidenciale të vitit 2016, ndërsa akuzohet edhe për pagesat e padeklaruara që iu bënë modeles së revistës Playboy Karen McDougal dhe aktoren e filmave pornografik Stormy Daniels, për të mos treguar lidhjet që ato kishin pasur mes tyre.

/rtsh.al/