RTSH 24 Live

Aktualitet

Shëtitja me anije mbi Liqenin e Shkodrës, Rama: Ofrohet një panoramë e pa shijuar më parë

04/05/2024

Shëtitja me anije mbi Liqenin e Shkodrës, Rama: Ofrohet një panoramë e pa shijuar më parë

Kryeministri Edi Rama, nëpërmjet një postimi në platformat sociale, bëri të ditur të shtunën se dy anijet e para turistike “BUNA" dhe "DRINI" kanë nisur shërbimin e tyre përgjatë Liqenit të Shkodrës.

Sipas Ramës, udhëtimi nëpërmjet këtyre dy anijeve ofron një panoramë të pa shijuar më parë nga shumëkush në zonën e bukur të Liqenit të Shkodrës.

“Dy anijet e para turistike “BUNA" dhe "DRINI" kanë nisur shërbimin e tyre, duke ofruar një panoramë të pa shijuar më parë nga shumëkush në zonën e bukur të Liqenit të Shkodrës”, shkruan Rama.

Anijet turistike nga Shkodra në Mal të Zi

Në liqenin e Shkodrës pas një shkëputjeje disa vjeçare tashmë është rikthyer lundrimi turistik, duke ju dhënë mundësinë qytetarëve dhe vizitorëve të shijojnë magjinë e ujërave dhe peizazhit të liqenit më të madh në Ballkan.

Qeveria dhe Fondi Shqiptar i Zhvillimit kanë mundësuar dy anijet e para turistike me kapacitet prej 33 vendesh secila, që do të shërbejnë për lundrimin në liqen dhe lidhjen mes Shkodrës dhe Malit të Zi, siç ka ekzistuar ndër vite.

Anijet i shtohen një rrjeti ndërhyrjesh që ka nisur me krijimin e 3 moleve përgjatë liqenit dhe lumit Buna. Dy molet në Shirokë dhe Zogaj kanë përfunduar ndërkohë që në një kohë të shkurtër do të përfundojë edhe investimi tjetër pranë Urës së Bunës, të cilat së bashku krijojnë një rrjet molesh për ankorimin e varkave turistike dhe rikthimin e lundrimit elitar në këtë pasuri ujore të Shkodrës në shërbim të turizmit.

/rtsh.al/