RTSH 24 Live

Kosova

SHBA shpreh keqardhje për vrasjen e njërit prej liderëve të muslimanëve të Arakanit

01/10/2021

SHBA shpreh keqardhje për vrasjen e njërit prej liderëve të muslimanëve të Arakanit

Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Antony Blinken shprehu keqardhje për vrasjen e Mohib Ullah një prej liderëve të muslimanëve të Arakanit (Rohingya) i cili u vra nga persona të armatosur në një kamp refugjatësh në jug të Bangladeshit dhe bëri thirrje për hetime që të ndriçohet ky atentat.

Në një deklaratë me shkrim Blinken tha: "Jemi thellësisht të trishtuar dhe të shqetësuar nga vrasja më 29 shtator e mbrojtësit të mulimanëve të Arakanit dhe liderit të komunitetit, Mohib Ullah".

Duke bërë të ditur se Ullah ishte një mbrojtës i guximshëm dhe i flaktë i të drejtave të njeriut për muslimanët e Arakanit në mbarë botën, Blinken tha se "Në vitin 2019 ai erdhi në SHBA dhe në Këshillin e të Drejtave të Njeriut për të mbajtur fjalim në takimin e ministrave për zhvillimin e Lirisë Fetare. Gjatë vizitës ndau përvojat e tij me presidentin dhe zv.presidentin dhe foli me personat e tjerë që mbijetuan nga persekutimi me motiv fetar".

Blinken vuri në dukje se kanë bërë thirrje për një hetim të plotë dhe transparent lidhur me vdekjen e Ullah me qëllimin që autorët e këtij sulmi të pabesë të japin llogari.

Mohib Ullah, i cili ishte ftuar në Shtëpinë e Bardhë dhe Këshillin e të Drejtave të Njeriut të OKB-së ishte një nga mbrojtësit me profilin më të lartë të muslimanëve të Arakanit.

I njohur me përpjekjet e tij për t'i përcjellë botës problemet me të cilat përballeshin muslimanët e Arakanit, Ullah gjithashtu dihej që siguronte informacione për hulumtuesit ndërkombëtarë lidhur me ngjarje të tilla si vrasje, përdhunime dhe zjarrvënie në kampet e refugjatëve në Bangladesh.

Në lajmin që ndodhet në faqen e Human Rights Watch, ishte njoftuar se në kampin Kutupalong në rajonin Cox's Bazar të Bangladeshit ishte vrarë Mohib Ullah, kreu i shoqatës për paqe dhe të drejtat e njeriut të arakanëve Rohingya./AA