RTSH 24 Live

Kosova

SHBA, Dhoma e Përfaqësuesve voton për censurimin e kongresistit Paul Gosar

18/11/2021

SHBA, Dhoma e Përfaqësuesve voton për censurimin e kongresistit Paul Gosar

Dhoma e Përfaqësuesve e kontrolluar nga demokratët votoi të mërkurën për të censuruar kongresistin republikan Paul Gosar dhe për ta hequr atë nga të gjitha detyrat e komisionit pasi ai postoi një video të animuar në të cilën e përshkruante atë duke vrarë kolegen e tij, kongresisten Alexandria Ocasio-Cortez, transmeton Anadolu Agency (AA).

Për censurimin e Gosar-it votuan 223 ndërsa 207 ishin kundër, kryesisht përgjatë linjave partiake për të ndërmarrë veprime kundër kongresistit të Arizonës ndërsa vetëm dy republikanë, Liz Cheney dhe Adam Kinzinger, votuan me demokratët në miratim.

Gosar tani do të shkarkohet nga Komisionet e Burimeve Kombëtare dhe Mbikëqyrjes dhe Reformës në Dhomën e Përfaqësuesve.

Ai u kritikua për postimin e një videoje të animuar javën e kaluar që e përshkruante atë duke vrarë Ocasio-Cortez dhe duke përdorur një shpatë kundër presidentit Joe Biden. Më pas ai hoqi videon.

Pak përpara votimit, Ocasio-Cortez kritikoi veprimet e Gosar-it, duke pyetur republikanët që do të votonin kundër censurës së tij: "A do të lejonit përshkrime të dhunës ndaj grave, ndaj kolegëve. A do ta lejonit këtë në shtëpinë tuaj?".

"A mendoni se kjo duhet të ndodhë në një bord shkolle? Në një këshill bashkiak? Në një kishë? Dhe nëse nuk është e pranueshme atje, pse duhet të pranohet këtu?", pyeti ajo. “Si liderë në këtë vend, kur nxisim dhunën me përshkrime kundër kolegëve tanë, kjo kthehet në dhunë në këtë vend, dhe këtu duhet të vendosim kufirin, pavarësisht nga partia, identiteti apo besimi”, tha Ocasio-Cortez.

Pavarësisht qortimit të mëparshëm, Gosar refuzoi të kërkonte falje për veprimet e tij, duke thënë në foltoren e Dhomës përpara votimit se "pavarësisht se sa shumë e majta përpiqet të më heshtë, unë do të vazhdoj të flas".

Rezoluta e censurës është dënimi më i rëndë që Dhoma mund t'i japë një anëtari, kurse republikanët kishin paralajmëruar se duke ndërmarrë një hap të tillë, demokratët po vendosnin një precedent të rrezikshëm që do të vazhdonte nëse republikanët fitonin kontrollin e Dhomës.

Megjithatë, demokratët qëndruan të palëkundur në vendosmërinë e tyre se asnjë ligjvënës nuk duhet të lejohet të lëshojë kërcënime të dhunshme kundër kolegëve të tyre.

“Është një ditë e trishtuar për Dhomën e Përfaqësuesve, por një ditë e rëndësishme”, tha kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi./AA