RTSH 24 Live

Botë

SHBA akuza Rusisë: Ka përdorur armë kimike, shkeli ligjin ndërkombëtar

02/05/2024

SHBA akuza Rusisë: Ka përdorur armë kimike, shkeli ligjin ndërkombëtar

Shtetet e Bashkuara kanë akuzuar zyrtarisht Rusinë për përdorimin e armëve kimike “si një metodë lufte” kundër Ukrainës dhe kanë vendosur sanksione të reja gjithëpërfshirëse ndaj firmave dhe organeve qeveritare ruse.

Në një deklaratë të mërkurën (1 maj), Departamenti Amerikan i Shtetit deklaroi se Rusia ka përdorur armën kimike kloropicrinë kundër forcave ukrainase në kundërshtim me Konventën e Armëve Kimike (CWC).

DASH shtoi se Rusia kishte përdorur gjithashtu "agjentë të kontrollit të trazirave", ose gaz lotsjellës, gjatë luftës, po ashtu në kundërshtim me CWC.

“Përdorimi i kimikateve të tilla nuk është një incident i izoluar dhe ndoshta nxitet nga dëshira e forcave ruse për të zhvendosur forcat ukrainase nga pozicionet e fortifikuara dhe për të arritur përfitime taktike në fushën e betejës”, thuhet në deklaratë.

Përfundimi i SHBA-së përputhet me dëshminë e trupave ukrainase, të cilët thonë se janë përballur me gaz dhe kimikate të tjera irrituese në pjesë të vijës së tyre të frontit me forcat ruse në muajt e fundit.

Në një deklaratë të postuar në mediat sociale në mars, forcat e armatosura të Ukrainës thanë se kishin regjistruar më shumë se një mijë incidente ku Rusia kishte përdorur "municione gaz lotsjellës të pajisur me kimikate toksike që janë të ndaluara për luftë", me 250 raste vetëm në shkurt.

/rtsh.al/

Po Rusia ka mohuar më parë përdorimin e armëve kimike.

Përdorimi i armëve kimike është i ndaluar nga ligji ndërkombëtar. Rusia i ka nënshkruar ato traktate dhe pretendon se nuk ka armë kimike, por vendi tashmë ka qenë i lidhur me përdorimin e agjentëve nervorë kundër kritikëve vitet e fundit.

/rtsh.al/