RTSH 24 Live

Politikë

Reforma Zgjedhore, Kume: PS-PD, lojëra politike me votën e emigrantëve

06/05/2024

Reforma Zgjedhore, Kume: PS-PD, lojëra politike me votën e emigrantëve

Eksperti për çështjet zgjedhore, Andon Kume ka deklaruar në studion e RTSH24 se partitë politike po bëjnë lojëra për interesat e tyre për t’u dhënë të drejtë emigrantëve që të votojnë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

Sipas Kumes, Partia Socialiste vërtet ka paraqitur një draft për Reformën Zgjedhore bazuar në disa nga rekomandimet e OSBE-ODIHR-it por ka lënë jashtë çështjen për votën e emigrantëve.

Partia Socialiste ka paraqitur një draft ku trajton disa nga rekomandimet e OSBE-ODIHR-it por që lë jashtë këtij drafti disa nga çështjet që duhet të jenë në vëmendje të kësaj Reforme Zgjedhore, siç është vota e emigrantëve apo siç është shpallja e herës si jo kushtetues nga ana e Gjykatës Kushtetuese dhe për të cilin Kuvendi duhet të amendojë Kodin Zgjedhor për të gjetur një mënyrë tjetër për të përllogaritur votën preferenciale të votuesve shqiptarë” , u shpreh Kume. 

Ai theksoi se palët politike janë në një ngërç politik dhe dy forcat kryesore politike PS-PD po luajnë me votën e emigrantëve duke ia faturuar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që ta zgjidhë këtë çështje përmes komisionit të tij rregullator. Por, sipas Kumes, më parë kjo gjë duhet të kalojë nga Kuvendi ku gjendet edhe përfaqësimi politik i dy forcave kryesore politike në vend.

Tashmë dy palët janë në një ngërç pasi Partia Socialiste për sa i përket votës së emigrantëve i referohet Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ndoshta edhe me të drejtë pasi baza ligjore për t’u dhënë mundësi emigrantëve që të votojnë ekziston dhe ajo duhet plotësuar dhe me rregullat se si duhet të votojnë emigrantët dhe këtë gjë mund ta bëjë edhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nëpërmjet komisionit rregullator të tij.

Por të thuash nuk e bën Parlamenti por e bën komisioni rregullator për mendimin tim është thjesht një lojë pasi edhe rregullatori është i përbërë midis dy palëve kryesore midis Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike dhe nëse ata nuk e gjejnë fjalën në Parlament për votën e emigrantëve e njëjta situatë do të reflektohej edhe në rregullator pasi janë pothuajse në të njëjtën situatë përfaqësimi”, theksoi Kume.

/rtsh.al/