RTSH 24 Live

Politikë

Reforma Zgjedhore dhe SPAK, Basha takon shefen e OSBE-së në Shqipëri

18/04/2024

Reforma Zgjedhore dhe SPAK, Basha takon shefen e OSBE-së në Shqipëri

Reforma Zgjedhore ka qenë tema kryesore e një takimi që kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Lulzim Basha, zhvilloi me kryesuesen në detyrë të OSBE, Clarisse Pasztory.  Sipas njoftimit për shtyp të Partisë Demokratike, si dhe një postimi në rrjetet sociale, gjatë takimit është diskutuar për situatën në vend, reformën zgjedhore dhe drejtësinë.

“Gjatë takimit kryetari i PD, shprehu shqetësimin për korrupsionin e përhapur ngado i cili ndikon drejtpërdrejt në ekonominë e vendit dhe në emigrimin masiv të qytetarëve”, thuhet në njoftim.

"Kënaqësi që së bashku me bashkëpunëtorët e mi të mirëprisja në selinë e Partia Demokratike e Shqipërisë kryesuesen në detyrë të OSCE Presence in Albania, Clarisse Pasztory dhe bashkpunëtorët e saj. Në këtë takim diskutuam për situatën në vend, Reformën Zgjedhore dhe drejtësinë. Theksova shqetësimin për korrupsionin e përhapur ngado i cili ndikon drejtpërdrejt në ekonominë e vendit dhe në emigrimin masiv të qytetarëve.”, shkruan Basha.  

Sipas tij, sot institucioni i vetëm që ka kompetenca për ti dhënë fund pandëshkueshmërisë dhe për të goditur korrupsionin është SPAK dhe sistemi i drejtësisë.

“Prandaj, Partia Demokratike është në krah të drejtësisë dhe SPAK në luftën kundër korrupsionit. Kushdo që ka abuzuar me paratë e shqiptarëve të shkojë para drejtësisë. Për këtë arsye, PD inkurajon dhe mbështet SPAK të hetojë nivelet më të larta të qeverisë”, ka thënë Basha, sipas njoftimit të PD-së.

Sa i përket reformës zgjedhore, Basha bëri të ditur qëndrimin e PD, i cili është depozituar edhe në Parlament.  Kreu i Partisë Demokratike përmendi listat e hapura, të cilat do të mundësonin të zgjidhej deputet ai që merr më shumë vota, Shqipëria një zonë elektorale dhe barazi vote, votim dhe numërim elektronik dhe votën e Diasporës.

“Detyra e politikës, –  tha Basha,  është t’u japim mundësi qytetarëve të votojnë të lirë dhe të vendosin të pa ndikuar për ata që duan t’i përfaqësojnë në Parlament”.

/rtsh.al/