RTSH 24 Live

Politikë

Rama u heq tenderat ministrave, Meta: Do që t’i hajë të gjitha dardhat vetë

08/05/2024

Rama u heq tenderat ministrave, Meta: Do që t’i hajë të gjitha dardhat vetë

Presidenti i partisë së Lirisë, Ilir Meta ka ironizuar deklaratë e kryeministrit Edi Rama se asnjë ministër nuk do të ketë më lidhje me tenderat. 

Meta tha se kjo ndodh pasi Rama “do t’i hajë të gjitha dardhat vetë”, ndërsa e akuzoi se ka vjedhur qytetarët përmes tenderave sekretë sidomos gjatë pandemisë.

“Do që të gjitha dardhat t’i hajë vetëm ai me Agaçin. Ata hanë dardha pa leje. Ai duhet t’i kërkojë falje shqiptarëve që i ka vjedhur me tendera sekretë sidomos gjatë pandemisë”, tha Meta gjatë një konference për mediat.

Më herët kryeministri Edi Rama tha se asnjë ministër nuk do të ketë më lidhje me tenderat dhe se do të krijohet një shoqëri e re e operatorit për blerjet e përqendruara.

Duke komentuar protestën e opozitës para Bashkisë Tiranë, Meta tha se do vijojë deri sa bashkia të shkojë në duart e qytetarëve.

“Aksioni opozitar vazhdon dhe protesta e djeshme ishte tregues i një konsistence në rritje shpartallimi i barrikadave që kërkojnë të asgjësojnë llogaridhënien e kryebashkiakut të kapur në flagrancë shumë herë që nga inceneratorët deri te 5D. Protesta tregoi se qytetarët do e marrin bashkinë në duart e tyre shumë shpejt”, tha Meta.

Akuzat për qeverinë nuk munguan edhe për reformat e marra, ku Ilir Meta tha se “në vend që të bënte reforma në 11 vite, bëri Ramaforma. Gjithçkaje i dha formën e vete”.

/rtsh.al/