RTSH 24 Live

Politikë

Rama mbledh nesër deputetët dhe ministrat: Prezantojmë nismën e re për Shqipërinë 2030

06/05/2024

Rama mbledh nesër deputetët dhe ministrat: Prezantojmë nismën e re për Shqipërinë 2030

Kryeministri Edi Rama ka bërë të ditur se ditën e nesërme do të mbledhë në Kryesinë e Kuvendit ministrat dhe deputetët e Partisë Socialiste për të diskutuar mbi qeverisjen, korrupsionin por edhe për një nismë të re kombëtare për Shqipërinë 2030 siç e ka cilësuar vetë kreu i qeverisë.

Përmes një postimi në rrjetin social në Facebook, Rama shkruan se ditën e nesërme në orën 10:00 të së martës ai do t’i adresohet grupimit të tij parlamentar dhe kabinetit qeveritar ku do të prezantojë edhe nismën e re kombëtare për Shqipërinë 2030.

Nesër 10:00 live tv: Qeverisja, ligji, korrupsioni dhe një nismë e re kombëtare për Shqipërinë 2030. Adresim për grupin parlamentar dhe kabinetin qeveritar”, shkruan Rama në rrjetin e tij social në Facebook.

Gjithashtu pritet që kryeministri Rama të adresojë në këtë mbledhje problematika që kërkojnë zgjidhje.

Mbledhja pritet të zhvillohet në orën 10:00, teksa të pranishëm do të jenë edhe deputetë të Partisë Socialiste. Kjo është një mbledhje e përsëritur, pasi edhe disa javë më parë kreu i PS-së iu bashkua grupit parlamentar socialist.

Ashtu siç raportoi më herët gazetarja e RTSH-së, Denada Shkodrani, bëhet e ditur se Rama pritet të niset për një vizitë pune dy ditore në Gjermani dhe fill pas kësaj, më 12 maj, do të nisë atë që konsiderohet turi i diasporës.

Kreu i qeverisë shqiptare do të udhëtojë në 4 shtete ku jeton pjesa më e madhe e qytetarëve shqiptarë, duke nisur me Athinën dhe për të vijuar më pas me Mynihun, Milanon dhe Londrën.

/rtsh.al/