RTSH 24 Live

Politikë

Rama: Brenda javës “Ligji për Pagat” kalon në Kuvend, paga mesatare nga 550 euro do të shkojë në 900 euro  

22/05/2023

Rama: Brenda javës “Ligji për Pagat” kalon në Kuvend, paga mesatare nga 550 euro do të shkojë në 900 euro  

Kryeministri, Edi Rama, nga Dibra, deklaroi se paga mesatare në Shqipëri nga 550 euro që është aktualisht, do të shkojë në 900 euro dhe se brenda kësaj jave do të kalojë në Kuvend "Ligji për Pagat".

Kreu i qeverisë sqaroi në detaje se pavarësisht vonesave, të cilat erdhën si rezultat edhe i rezistencës së deputetëve, pasi edhe ata kërkonin rritje pagash, efektet e kësaj rritje do të jenë që nga 1 prilli 2023.

“Ligji që shkoi në Kuvend ngeci aty. Por do të kalojë këtë javë. Arsyeja pse ngeci ishte sepse edhe deputetët kërkonin që tu rritej rroga. Kam mbrojtur parimin se ministrat e deputetët duhej të ishin të fundit që të përfitonin nga rritja e pagave. Gjithësesi, ajo që ka rëndësi është se me kalimin e ligjit të pagave, do të garantohet rritja e pagave, të cilat, për masën e rritur, do të merren që nga 1 prilli 2023. Vetëm mos kujtoni se aq do jetë paga kur ta merrni. Janë shtesat që nuk u morën që nga prilli”- theksoi Rama.

Sipas tij, ligji për pagat s’kishte të bënte fare me zgjedhjet, pasi PS votat i mori e sot po rrit dhe pagat.

“Ne s’jemi si ata. Pagat do i rrisim tani. Megjithëse kanë kaluar kohë për shkak të vonesës, të gjithë do të marrin pagat e munguara. Paga mesatare nga 550 euro do të shkojë në 900 euro”- theksoi Rama.

Kreu i qeverisë nënvizoi se efektet e rritjes së pagave janë parë edhe tek privati, i cili edhe ai ka filluar që të rrisë pagat.

“Rritja ka filluar edhe në sektorin privat. Paga minimale, brenda mandatit, do të shkojë në 50 mijë lekë. Kemi rritur të ardhurat për frymë nga 3400 euro në 6400 euro. Paga minimale do të shkojë në 60 mijë lekë të reja. Ky është një tjetër objektiv i yni”- theksoi Rama.  

/rtsh.al/