RTSH 24 Live

Politikë

PS bojkoton komisionin hetimor për "Sterilizimin", Vokshi: Të shkarkohen anëtarët

09/04/2024

PS bojkoton komisionin hetimor për "Sterilizimin", Vokshi: Të shkarkohen anëtarët

Kryetarja e Komisionit Hetimor për koncesionet e sterilizimit dhe check-up në Shëndetësi, Albana Vokshi ka akuzuar mazhorancën se nuk ka vullnet për të hetuar dhe se për të tretën herë kanë bojkotuar mbledhjen.

Në një deklaratë për mediat, Vokshi i bëri thirrje kryetares së Kuvendit Lindita Nikolla që të bëjë zëvendësimin e anëtarëve të PS, ndërsa kërkoi që Plarent Ndreca dhe Milva Ikonomi të largohen pasi janë në konflikt interesi lidhur me hetimin e këtyre dy koncesioneve.

Për Vokshin, bojkotimi i PS ndodh me urdhër të kryeministrit Rama, asi nuk dëshiron që të ketë hetime lidhur me koncesionin e sterilizimit dhe check-up në Shëndetësi.

“Përsëri deputetët e bojkotuan për herë të 3 radhazi komisionin hetimor pavarësisht se njoftimet për mbledhjen janë kryer në bazë të rregullores me kërkesë të opozitës. Është e qëllimshme ashtu sikurse refuzuan në mënyrë të përsëritur dhe po vijojnë refuzimin e të drejtave kushtetuese të opozitës në komisionin hetimor pro ën një formë tjetër. E kanë ngritur komisionin për ta dështuar, për ta bllokuar. Çdo mbledhje bojkotohet nga ana e mazhorancës se s’duan që të zbardhen aferat korruptive kriminale në Shqipëri, check up dhe sterilizimi. 7 deputetët të opozitës me firma kanë thirrur mbledhjen e Komisionit. Prania e deputetëve të mazhorancës sot është e detyrueshme, nuk zgjedhin nuk duhet të zgjedhin. Neni 32 pika 2 e detyron. Neni 12 pika 1i ligjit që e kanë ndryshuar vetë në mënyrë të njëanshme thotë mbledhjet thirren dhe vetëdrejtohen nga kryetari.

E kam thirrur mbledhjen bazuar në ligj dhe për herë të tretë e kanë dështuar. Mazhorancë që bojkoton është vetëm kjo. Me urdhër të Ramës ata po bojkotojnë punimet dhe hetimet parlamentare. Kanë shkelur rregulloren, Kushtetutën dhe e kanë bojkotuar për arsye të papërligjura.  Plarent Ndreca si nënkryetar është provokim i hapur që i bëhet opozitës pasi ai është në konflikt të hapur interesi. Ai ka qenë avokat i disa prej personave që janë në akuzë nga SPKA për këto dy koncesioni që po hetohet. Edhe Milva Ikonomi është në konflikt të hapur interesi pasi ka drejtuar objektet e punës për dy koncesionet pasi  ka qenë në pozicionin e zv.ministres. Ajo nuk mund të hetojë veten e saj. I bëj thirrje Lindita Nikollës të bëj zëvendësimin e personave pasi nuk mund të jenë pjesë e koncesionit hetimor”, tha Vokshi.

Gjithashtu komisioni hetimor ka depozituar pranë Kuvendit planin hetimor të dy koncesioneve. Ky plan hetimor është përpiluar nga dy ekspertët e caktuar nga opozita Meri Lika dhe Franci Nuri, të cilët kanë kërkuar edhe shtyrje të afateve të dorëzimit të kërkesave për informacion.

Kjo shtyrje afatesh për kryetaren e komisionit është bërë për shkak të vonesave që janë shkaktuar nga bojkotimi i mazhorancës së komisionit hetimor në Shëndetësi.

Në planin e dorëzuar sipas ekspertëve mbledhja e dokumentacionit dhe kërkesat për informim duhen bërë brenda datës 15 prill, ndërsa shqyrtimi paraprak i këtij dokumentacioni duhet bërë deri më 20 prill.

Këto afate janë shtyrë nga ekspertët e caktuar nga opozita në mënyrë që të ketë kohë mjaftueshme për të pyetur ë gjithë dëshmitarët deri më 10 qershor.

Në listën e dëshmitarëve që do të dëshmojnë në Komisionin Hetimor është Edi Rama, Ilir Beqaj, Ogerta Manastirliu, Shkëlqim Cani, Anila Denaj, Albana Koçiu, Klodian Rrjepaj, persona nga Nisma Thurje që kanë depozitar të parët denoncimin në SPAK, ortakët dhe administratorët e dy koncesioneve, sterilizimin dhe check-up etj.

/rtsh.al/