RTSH 24 Live

Botë

Protesta masive në Spanjë kundër largimit të kryeministrit Pedro Sánchez

28/04/2024

Protesta masive në Spanjë kundër largimit të kryeministrit Pedro Sánchez

Mijëra mbështetës të kryeministrit të Spanjës, Pedro Sánchez, janë mbledhur në rrugët e Madridit në një përpjekje për ta bindur atë të mos japë dorëheqjen.

Lideri socialist tha të mërkurën se po anulonte të gjitha angazhimet zyrtare për të reflektuar për të ardhmen e tij.

Ai e mori vendimin pasi një gjykatë hapi një hetim ndaj gruas së tij mbi pretendimet për korrupsion. Sanchez do të shpallë vendimin për të ardhmen e tij të hënën.

Mbështetësit socialistë udhëtuan me autobus nga i gjithë vendi për të marrë pjesë në një demonstratë mbështetjeje të Sánchez duke brohoritur "Pedro, mos u dorëzo" dhe "Ti nuk je vetëm".

Sánchez njoftoi vendimin e tij për të marrë në konsideratë dorëheqjen e tij në të njëjtën ditë kur u zbulua se një gjykatë e Madridit po hapte një hetim ndaj gruas së tij, Begoña Gómez, pas akuzave.

Akuzat u ngritën kundër saj nga organizata Manos Limpias (Duar të Pastra). Hetimi paraprak po shqyrton lidhjet e bashkëshortes se kryeministrit me kompanitë private që siguruan paratë e qeverisë ose kontratat publike.

Në mënyrë të veçantë, po shqyrton marrëdhënien midis një fondacioni që ajo drejtonte të quajtur IE Africa Center dhe grupit të turizmit Globalia, linja ajrore e të cilit Air Europa mori një ndihmë prej 475 milion € gjatë krizës Covid-19.

Sánchez dhe aleatët e tij kanë këmbëngulur se akuzat, të cilat janë raportuar gjerësisht në mediat e krahut të djathtë, janë false.

/rtsh.al/