RTSH 24 Live

Sociale

Projektligji “Për shëndetin seksual dhe riprodhues”, Këshilli Ndërfetar letër institucioneve: Kërkojmë të dëgjohemi

09/05/2024

Projektligji “Për shëndetin seksual dhe riprodhues”, Këshilli Ndërfetar letër institucioneve: Kërkojmë të dëgjohemi

Komuniteti Ndërfetar ka kërkuar që të jetë i pranishëm në dëgjesën publike të të projektligjit “Për shëndetin seksual dhe riprodhues”. Në një letër të hapur dërguar institucioneve më të larta shtetërore, Kuvendit, Presidencës, kryeministrisë dhe Ministrisë së Shëndetësisë, shqetësimin për mungesën e përfshirjes së komuniteteve fetare në dëgjesën publike të këtij projektligji.

Këshilli Ndërfetar, si grup interesi, kërkon të ndërpritet shqyrtimi i projektligjit në fjalë pa pjesëmarrjen e tij në seancat konsultative në Ministrinë e Shëndetësisë, t’i njihet e drejta të paraqesë vëzhgimet, prapësimet dhe kundërshtitë lidhur me projektligjin si dhe të bëhet pjesë e dëgjesave publike të këtij projektligji. Në rast të kundërt, Këshilli Ndërfetar kërkon që projektligji “Për shëndetin seksual dhe riprodhues” të mos kalojë në Kuvend.

Ky projektligj, i hedhur për konsultim publik nga Ministria e Shëndetësisë, ka nxitur debate mbi disa risi, përfshirë uljen e moshës së abortit pa nevojën e konsensusit nga prindërit nga 18 vjeç në 16 vjeç, përfshirja e surrogacisë dhe rritja e kohës për ndërprerjen e shtatzënisë, me dëshirën e gruas për arsye të ndryshme nga 12 javë në 14.

Reagimi i plotë:

Bazuar në të drejtat e tij statutore, Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë, pasi u njoh nëpërmjet medias me projektligjin “Për shëndetin seksual dhe riprodhues”, në datën 29 prill 2024 mblodhi Bordin e Presidencës, së bashku me një grup pune të miratuar nga pesë komunitetet fetare, të përbërë nga specialistë: juristë, sociologë, teologë dhe mjekë. Gjatë këtij takimi, Këshilli Ndërfetar ngriti shqetësimin për mungesën e përfshirjes së komuniteteve fetare në dëgjesën publike të këtij ligji, si palë e interesit dhe për mungesën e një relacioni, që duhet ta shoqërojë këtë projektligj në faqen zyrtare. Grupi i punës ka paraqitur para Bordit të Presidencës argumentet profesionale në lidhje me projektligjin në fjalë dhe efektet negative që ai mund të ketë për shëndetin e individit, familjes dhe shoqërisë.

Pas një pune intensive disaditore të specialistëve të fushës, Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë, bazuar në statutin e tij, të miratuar në vitin 2007, i drejtohet me një letër të hapur institucioneve më të larta shtetërore:

Kuvendit të Republikës së Shqipërisë – Kryetares, znj. Lindita Nikolla dhe Komisionit për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë; Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë, z. Edi Rama; Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ministres znj. Albana Koçiu; Avokatit të Popullit, znj. Erinda Ballanca dhe për dijeni Presidentit të Republikës, SH.T.z. Bajram Begaj.

Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë, si grup interesi, kërkon të ndërpritet shqyrtimi i projektligjit në fjalë pa pjesëmarrjen e tij në seancat konsultative në Ministrinë e Shëndetësisë; t’i njihet e drejta të paraqesë vëzhgimet, prapësimet dhe kundërshtitë lidhur me projektligjin; si dhe të bëhet pjesë e dëgjesave publike të këtij projektligji. Në rast të kundërt, Këshilli Ndërfetar kërkon që projektligji “Për shëndetin seksual dhe riprodhues” të mos kalojë në Kuvendin e Shqipërisë.

Me dëshirën që kërkesat tona, të cilat përfaqësojnë vullnetin dhe qëndrimet e të gjithë besimtarëve tanë, pjesë e pesë komuniteteve fetare zyrtare dhe shoqërisë shqiptare, të marrin vëmendjen e duhur nga ana e institucioneve ligjzbatuese dhe të gjithë së bashku, të punojmë për një të ardhme më të mirë e më të sigurt për brezat e rinj, me besim te Zoti e te ligji për të mirën e përbashkët.

Zoti e bekoftë Shqipërinë dhe të gjithë qytetarët e saj!

/rtsh.al/