RTSH 24 Live

Sociale

Projektligji për mjekësinë, protestojnë studentët: Çdo injorim do marrë përgjigjen tonë

02/05/2024

Projektligji për mjekësinë, protestojnë studentët: Çdo injorim do marrë përgjigjen tonë

Studentët e Mjekësisë kanë vijuar protestën duke dalë kundër projektligjit të ri ku parashikohet punë e detyruar pas studimeve në Shqipëri.

Sipas studentëve çdo kërkesë që do të injorohet drejtuar qeverisë do të marrë reagimin dhe përgjigjen e tyre.

Ndërkaq, Ministria e Shëndetësisë ka prezantuar projektligjin e ri për studentët e mjekësisë, ku parashikohet ulje të afateve për punë të detyruar.

Qeveria ka hedhur për konsultim publik pr/ligjin “Për trajtimin e veçantë të studentëve që ndjekin programin e integruar të studimit të ciklit të dytë “Mjekësi e Përgjithshme”, në institucionet publike të arsimit të lartë””, në të cilin ka parashikuar dhe uljen e viteve të punës së detyruar në Shqipëri të një mjeku nga 5 në 3 vite në përfundim të ciklit të studimeve.

Gjithashtu drafti i ri ligjor parashikon ulje të viteve për punësim  për studentët e vitit të dytë nga 3 në 2 vite punë të detyruar në Shqipëri. Ndërsa për ata të vitit të 5 dhe 6 , nga 2 vite punë të detyruar, zbret në 1.

Mjekët e rinj janë të detyruar të punësohen në institucionet shëndetësore sipas nevojave për mjekë të shpallura nga ministria përgjegjëse për shëndetësinë.

Koha e kryerjes së procedurës për punësimin e mjekut nga ministria përgjegjëse për shëndetësinë, është brenda 3 muajve nga momenti i lindjes së të drejtës për punësim.

Në rastet kur punësimi nuk realizohet brenda 3 muajve për shkaqe që nuk varen nga mjeku, deri në krijimin e mundësisë për punësim në institucionet shëndetësore publike, për një periudhë deri në 9 muaj, mjekut i lind e drejta të trajtohet me 80% të pagës së mjekut të përgjithshëm në kujdesin parësor, për një periudhë jo më të gjatë se ky afat, ose të zgjedhë të punësohet në institucionet shëndetësore jo publike në vend, duke njoftuar ministrinë përgjegjëse për shëndetësinë, si dhe duke ruajtur të drejtën për punësim prioritar brenda periudhës 9 mujore në institucionet shëndetësore publike”, njoftoi ministria e Shëndetësisë.

Projektligji i ri për studentët e mjekësisë u miratua në muajin korrik të vitit të kaluar si masë për të frenuar largimin e mjekëve nga Shqipëria.

Por ky ligj nuk është pritur mirë nga ana e studentëve të cilët vijojnë të protestojnë duke e cilësuar nismën e qeverisë si të padrejtë dhe antikushtetuese.

/rtsh.al/