RTSH 24 Live

Politikë

PD, Gazment Bardhi: Rama mund ti fshihet Kuvendit, por jo qytetarëve

29/04/2024

PD, Gazment Bardhi: Rama mund ti fshihet Kuvendit, por jo qytetarëve

Kreu i deputetëve të opozitës në Kuvend, Gazment Bardhi, akuzoi kryeministrin Edi Rama të hënën se po i fshihet parlamentit, por nuk do të mund t’iu fshihet qytetarëve.

Sipas tij, Kuvendi duhet të distancohet nga sjellja e Edi Ramës ndaj medias shtetërore italiane Rai 3, por mbi të gjitha, sipas tij, “duhet të distancohen nga modeli qeverisës që ka ndërtuar Edi Rama, model që turpëron Shqipërinë”.

“Ish këshilltari i Edi Ramës, ish magjistrati i njohur italian Mandoi, na ripohoi atë që kemi thënë si opozitë çdo ditë, që anëtarët e mafias shqiptare, të krimit të organizuar apo narko-trafikantët kanë përfaqësuesit e tyre brenda institucioneve dhe kanë mundësi perfekte për të kushtëzuar veprimet e qeverisë. E vërteta nuk turpëron Shqipërinë të nderuar kolegë, por sigurisht turpëron Edi Ramën, prandaj është fshehur ka një muaj. Të thuash të vërtetat lidhur me Edi Ramës, nuk ka aspak të bëjë me imazhin e Shqipërisë dhe shqiptarëve. Imazhi i Olsit dhe Olsave të shumtë të Edi Ramës, nuk është imazhi i Shqipërisë dhe shqiptarëve.”, tha Bardhi.

 Sipas tij, imazhi i vërtetë i Shqipërisë dhe shqiptarëve, janë ata qytetarë të ndershëm të këtij vendi, që nuk përfshihen në trafik droge, që nuk pasurohen përmes korrupsionit madhor, që punojnë me ndershmëri, pavarësisht vështirësive që i krijon keqqeverisja jote 11 vjeçare, që shkëlqejnë në çdo sektor në Itali dhe çdo vend të botës.

Bardhi u shpreh se Nicola Gratteri, prokuror i Antimafias në Napoli konfirmoi se mafia shqiptare është e fortë sepse vjen nga shtet ku ka një korrupsion të përhapur.

“Kështu organizatat kriminale që vijnë nga Shqipëria janë menjëherë të pasura, të forta dhe të pushtetshme. Mafia shqiptare tashmë është strukturuar dhe ka arritur të punojë në bashkëpunim me N’Drangheta. Ka disa vite që e shohim edhe në Amerikën e Jugut dhe është e aftë që edhe në mënyrë të pavarur të sjellë në Itali dhe në Evropë tonelata kokaine. Prandaj dhe shqetësimi kryesor i qytetarëve është rikthimi i qeverisjes në shërbimin e tyre. Edi Rama mund ti fshihet Kuvendit, por kërkesës së qytetarëve që qeverisja të jetë në shërbim të tyre, nuk i fshihet dot për gjatë.”, tha Bardhi.

/rtsh.al/