RTSH 24 Live

Aktualitet

Nën akuzë për korrupsion, Apeli i GJKKO lë në fuqi dënimin me burg për ish-zyrtaren e Ministrisë së Shëndetësisë

10/05/2024

Nën akuzë për korrupsion, Apeli i GJKKO lë në fuqi dënimin me burg për ish-zyrtaren e Ministrisë së Shëndetësisë

Apeli i GJKKO-së ka lënë në fuqi vendimin e Shkallës së Parë për dënimin me 2 vite e 8 muaj burg për ish-sekretaren e Ministrisë së Shëndetësisë, Joana Duron, për veprën penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, në bashkëpunim.

Po ashtu, është lënë në fuqi edhe vendimi për heqjen e të drejtës për ushtrim të funksionit publik për periudhën 5-vjeçare.

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Miliana Muça (kryesuese), Dhimitër Lara (anëtar) dhe Engert Pëllumbi (anëtar), sot më datë 10.05.2024, shpalli vendimin lidhur me çështjen e regjistruar me nr. 22 akti, datë 18.03.2024 regjistrimi, mbi ankimin e paraqitur nga ankuesit/të pandehurit J.D., V.T., kundër vendimit nr. 75, datë 13.11.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, që ka vendosur:

“Deklarimin fajtor të të pandehurës J.D., për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, parashikuar nga neni 260 i Kodit Penal dhe dënimin e saj me 4 (katër) vjet burgim.

Në aplikim të nenit 406 të K.Pr.Penale, uljen e dënimit me 1/3, duke e dënuar përfundimisht të pandehurën J.D. me 2 (dy) vjet e 8 (tetë) muaj burgim.

Në aplikim të nenit 35 të Kodit Penal, heqjen e të drejtës për të ushtruar funksione publike për të pandehurën J.D. për 5 (pesë) vjet”, thuhet në njoftim.

Po ashtu, për ish-specialisten e nivelit të lartë në MSHMS, Laura Shteto, Vladimir Topin dhe inxhinierin Silvi Shehin, GJKKO, me trup gjykues të përbërë nga gjyqtaret Etleva Deda, Irena Gjoka dhe Flora Hajredinaj, vendosi dënimin me 8 muaj burg.

Sipas vendimit të GJKKO-së, shuma prej 330 mijë lekësh që iu konfiskua Joana Duros, do kalojë në favor të shtetit.

Vladimir Topi dhe inxhinieri i kompanisë Silvi Shehi dyshohet se janë personat që ndërhynë duke i dhënë Joana Duros, 330 mijë lekë ryshfet që ajo të ndikonte për t’i shpallur fitues në tenderin për rikonstruktimin e qendrave shëndetësore.

Sipas SPAK, Joana Duro do të ndërhynte në garë për tenderin për rikostruksionin e disa qendrave shëndetësore.

/rtsh.al/