RTSH 24 Live

Aktualitet

Ndërtim i paligjshëm në Patok - Prangoset drejtori i IMT, masa pezullimi dhe për 3 inspektorë

29/04/2024

Ndërtim i paligjshëm në Patok - Prangoset drejtori i IMT, masa pezullimi dhe për 3 inspektorë

Shumica e trupës drejtuese të Inspektoriatit të Mbrojtjes së Territorit në Qarkun e Lezhës ka përfunduar në ndjekje penale. Shkak është bërë një ndërtim i paligjshëm në zonën bregdetare të Patokut.

Policia e Shtetit bëri të ditur se DVP Lezhë ka ekzekutuar të hënën 5 masa sigurie të dhëna nga Gjykata e Lezhës, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.

Sektori për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare në DVP Lezhë në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Kurbin, nën drejtimin e prokurorit të çështjes ka ekzekutuar 5 masa sigurie të caktuara nga Gjykata e Lezhës, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.

Policia ekzekutuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për shtetasit Jetmir Mzhika, 35 vjeç, banues në Fushë Mamurras, me detyrë drejtor i IMT, bashkia Kurbin.

Ndërkohë, është ekzekutuar masa e sigurisë “Arrest në shtëpi”, edhe për shtetasin Flor Gjini, 40 vjeç, banues në Lezhë, ish-kryeinspektor i IKMT Lezhë.

“Me masën e pezullimit të ushtrimit të detyrës a të shërbimit publik janë edhe shtetasit: I., 38 vjeç, banues në Milot, me detyrë inspektor i IMT, bashkia Kurbin; Sh. P., 57 vjeç, banues në Milot, me detyrë inspektor i IMT, bashkia Kurbin; A. P., 41 vjeç, banues në Milot, me detyrë inspektor i IMT, bashkia Kurbin.”, njofton Policia.

Sipas njoftimit, gjykata ka caktuar masat e sigurimit personal në kuadër të një hetimi të kryer nga Prokuroria e Lezhës, për ndërtimin e paligjshëm të një objekti, në Patok, Materialet procedurale tashmë i kanë kaluar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme.

/rtsh.al/