RTSH 24 Live

Europë

Navalnaya: Premtimet e Putinit boshe dhe të gënjeshtërta

07/05/2024

Navalnaya: Premtimet e Putinit boshe dhe të gënjeshtërta

Yulia Navalnaya, e veja e kritikut të Kremlinit, Alexei Navalny, ka akuzuar presidentin Vladimir Putin për gënjeshtra dhe premtime të thyera në ditën e betimit të tij të pestë.

Navalnaya tha se “premtimet e Putinit nuk janë thjesht boshe, ato janë gënjeshtra”.

Videoja e saj tregoi pjesë nga fjalimi i Putinit në fillimin e mandatit të tij të katërt në detyrë në vitin 2018, në të cilin ai thoshte se ”qëllimi më i rëndësishëm i presidencës ishte një e ardhme paqësore dhe e begatë për Rusinë”.

Më pas, videoja kundërshton pohimet e Putinit me imazhet nga lufta e përgjakshme e Putinit në Ukrainë, më shumë se dy vjet më parë.

Navalnaya, e cila është në mërgim, kritikoi Putinin për nxitjen e rritjes së moshës së pensionit, për persekutimin e disidentëve dhe për izolimin e Rusisë në skenën ndërkombëtare.

”Garancitë për sigurinë e qytetarëve janë shkelur”, tha ajo duke iu referuar një sulmi terrorist pranë Moskës që la më shumë se 140 të vdekur në mars.

Alexei Navalny vdiq në rrethana të pashpjegueshme në një kamp burgu siberian në shkurt, pak para se Putini të fitonte zgjedhjet presidenciale, të cilat janë konsideruar as të lira dhe as të drejta.


/ rtsh.al /