RTSH 24 Live

Kosovë

Ministri i Jashtëm hungarez për RTSH: Jemi kundër sanksioneve për Serbinë

06/10/2023

Ministri i Jashtëm hungarez për RTSH: Jemi kundër sanksioneve për Serbinë

Ministri i Jashtëm hungarez ka deklaruar se vendi i tij është kundër vendosjes së sanksioneve ndaj Serbisë. Në një prononcim për RTSH-në, Peter Sijarto (o. Peter Szijjarto) u shpreh se Hungaria nuk mbështet sanksionet ndaj askujt, duke mos e konsideruar si mjet për zgjidhjen e krizave. 

Po ne zakonisht i kundërshtojmë sanksionet sepse nëse e ktheni kokën pas nuk do të gjeni asnjë regjim sanksionesh që të ketë patur sukses. Vendosja e sanksioneve nuk dëmton vetëm ata kundër të cilëve vendosin sanksionet por edhe të tjerët që i vendosin ato. Është e njëjta gjë me sanksionet ndaj Rusisë. Ato janë më të dëmshme për ne se sa për rusët ndaj pse do të duhej të vendosnim sanksione ndaj një vendi që luan një rol kyç në të gjithë rajonin? Të gjithë e dimë se vendet tona janë të gjitha të rëndësishme por edhe në Shqipëri madje e kanë të qartë dhe do të binin dakord me mua se pa një Serbi të stabilizuar nuk do të kishim një Ballkan Perëndimor të stabilizuar, pra në vend që të shkojmë drejt sanksioneve duhet të riforcojmë dhe rinisim dialogun.

Ne zakonisht jemi të qëndrimit se dialogu duhet të ndodhe me liderët e Ballkanit Perëndimor dhe jo për ta. Mendoj se progresi i arritur nga Kryeministri Rama dhe Presidenti Vucic nëpërmjet marrëdhënieve të tyre, mes kontakteve që kanë, ishin mbresëlënëse dhe shpresoj që të dy liderët dhe të dy vendet të ndërtojnë edhe më tej një miqësi të fortë mes Serbisë dhe Shqipërisë. Kjo miqësi e fortë mund të shërbente si një bazë e mirë që Ballkani Perëndimor të zhvillohej më tej”, u shpreh ministri hungarez.

Sijarto ndodhet në Tiranë i pranishëm në Ministerialin që do të zhvillohet në kuadër të Procesit të Berlinit.

Pas ngjarjes së regjistruar më 24 shtator në veri të Kosovës, ku një grup i armatosur serb sulmoi Policinë e Kosovës duke i marrë jetën efektivit Afrim Bunjaku, Kosova, Shqipëria dhe Kroacia kanë kërkuar nga BE vendosjen e sanksioneve ndaj Serbisë. Deri më tani nuk ka një vendim të prerë nga BE, ndërsa është deklaruar se kërkesa do të merret parasysh.

/rtsh.al/