RTSH 24 Live

Aktualitet

Manastirliu nga gjimnazi "Kolë Idromeno": Investime të reja në 5 shkolla në Shkodër

20/04/2024

Manastirliu nga gjimnazi "Kolë Idromeno": Investime të reja në 5 shkolla në Shkodër

Nga gjimnazi "Kolë Idromeno" në Shkodër, Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu deklaroi se pesë shkolla të reja do të financohet këtë vit në Bashkinë e Shkodrës.

"Janë dy shkolla që fillojnë investimin në këtë vit që rikonstruktohen tërësisht, po ashtu dhe riorganizohen ambientet në tre shkolla të tjera, ku do të investojmë në ambientet sportive dhe palestrat. Janë mbi 4.5 milion euro që qeveria shqiptare, Ministria e Arsimit dhe Sportit tashmë po investon në shkollat në Shkodër, së bashku me investimin e  bashkisë", tha Manastirliu.

Duke folur për përmirësimin e infrastrukturës arsimore me programin e investimeve të këtij viti, Manastirliu tha se “Ministria e Arsimit dhe Sportit është angazhuar që në ciklin buxhetor 2024-2025 më shumë se 40 shkolla dhe terrene sportive të rehabilitohen, në mënyrë që të kemi një përmirësim edhe të nivelit të mësimdhënies, por edhe duke angazhuar shkollat si qendra komunitare".

Shkolla “Kolë Idromeno” është një ndër shkollat që do të rikonstruktohet plotësisht me financimin e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, në bashkëpunim me Bashkinë e Shkodrës, për të ofruar kushte të përmirësuara mësimore për rreth 400 nxënës. Për gjimnazin i cili mban emrin e piktorit dhe arkitektit të shquar shqiptar Kolë Idromeno, nis shumë shpejt puna për modernizimin e shkollës me një investim prej 133 milion lekësh që synon të përmirësojë të gjitha aspektet e infrastrukturës shkollore, duke përfshirë ambientet e brendshme dhe të jashtme, laboratorët dhe terrenet sportive.

Përveç shkollës “Kolë Idromeno” projektet që përfshijnë rikonstruksionin e mjediseve të brendshme dhe të ambienteve sportive janë edhe në shkollat “Ndre Mjeda”, “Dëshmorët e Prishtinës”, “Preng Jakova” dhe “Adem Haxhija” në Qarkun Shkodër.

Në të gjithë vendin përfundojnë këtë vit 100 objekte arsimore, pjesë e programit të rindërtimit të qeverisë shqiptare, Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, pushtetit vendor dhe partnerëve ndërkombëtarë, teksa po hapen 40 kantiere të reja, financime të MAS, për transformimin e infrastrukturës arsimore nga veriu në jug.

/rtsh.al/