RTSH 24 Live

Botë

Lufta në Rafah, OKB thotë se rreth 80.000 njerëz janë larguar nga qyteti

09/05/2024

Lufta në Rafah, OKB thotë se rreth 80.000 njerëz janë larguar nga qyteti

Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Refugjatët Palestinezë (UNRËA) tha këtë të enjte se rreth 80.000 njerëz janë larguar nga e hëna prej qytetit të Rafas në Rripin e Gazas.  “Njerëzit po përballen me një tjetër zhvendosje të detyrueshme.

Askund nuk ka siguri. Kemi nevojë për armëpushim tani”, shkroi agjencia në platformën X. Më shumë se një milion palestinezë u zhvendosën në Rafah, nga veriu i enklavës me kërkesë, të Tel Aviviut, ndërsa gjysma e tyre janë minoren. Megjithatë, tashmë ushtria izraelite po u kërkon të strehuarve që të lënë Rafan dhe të strehohen në një tjetër zonë në lindje të qytezës, ku tha se do të gjejnë spitale fushore, tenda dhe furnizime të tjera. Sulmet e fundit në Rafah, kanë çuar në mbylljen e disa prej qendrave mjekësore që deri më tani u kishin shërbyer rreth 1.3 milionë banorëve të asaj zone.

Ministria e shëndetësisë e drejtuar nga Hamasi njoftoi se numri i personave të vrarë ishte rritur në 24 orët e fundit në  34,904, ndërsa ai i të plagosurve po arrin në 79 mijë. Ministri izraelit i Mbrojtjes Yoav Gallant paralajmëroi të enjten se forcat izraelite “nuk mund të nënshtrohen”, menjëherë pasi presidenti amerikan Joe Biden tha se Uashingtoni nuk do të jepte armë për një pushtim izraelit në qytetin jugor të Gazës, Rafah.

“U drejtohem armiqve të Izraelit, si dhe miqve tanë më të mirë dhe them se shteti i Izraelit nuk mund të nënshtrohet, as IDF, as strukturat e mbrojtjes. Ne do të qëndrojmë të fortë, do t’i arrijmë qëllimet tona, do të godasim Hamasin, Hezbollahun dhe do të arrijmë sigurinë,” u shpreh Gallant.

Izraeli ka nisur bombardimin e qytetit, ku beson se ka mijëra luftëtarë të grupit islamik palestinez, Hamas, i shpallur terrorist nga SHBA-ja dhe fuqi të tjera, ndërsa Hamasi njoftoi se ishte tërhequra nga bisedimet e armëpushimit në Egjipt, për t’u konsultuar me krerët e grupit në Doha.

/RTSH/