RTSH 24 Live

Botë

Lufta Izrael-Gaza/ Dhjetëra mijëra në protestë, ndërsa bisedimet për armëpushim vazhdojnë

05/05/2024

Lufta Izrael-Gaza/ Dhjetëra mijëra në protestë, ndërsa bisedimet për armëpushim vazhdojnë

Dhjetëra mijëra izraelitë u mblodhën deri në orët e vona të natës duke bërë thirrje për një marrëveshje për sjelljen e pengjeve në shtëpi, përpara bisedimeve të mëtejshme për armëpushim.

Protestuesit në Tel Aviv brohoritën "lufta nuk është e shenjtë, jeta është", teksa disa akuzuan kryeministrin Benjamin Netanyahu se synon të zgjasë konfliktin.

Protesta erdhi pasi një delegacion i Hamasit u takua me ndërmjetësit në Egjipt të shtunën. Nuk kishte zhvillime të reja nga takimi, por sipas një njoftimi një raund i ri bisedimesh do të fillojë të dielën.

Negociatorët kanë rifilluar negociatat e gjata në Kajro, të ndërmjetësuara nga Egjipti dhe Katari, për ndalimin e ofensivës së Izraelit në Gaza në këmbim të lirimit të pengjeve. Problemi kryesor duket se është nëse marrëveshja do të jetë e përkohshme apo e përhershme.

Mendohet se formulimi që po diskutohet përfshin një pauzë 40-ditore në luftime ndërsa pengjet lirohen dhe lirimin e një numri të burgosurish palestinezë që mbahen në burgjet izraelite.

Një këshilltar i udhëheqësit të Hamasit, Ismail Haniyeh, tha se grupi po e shikonte propozimin e fundit me "seriozitet të plotë".

Por ai përsëriti një kërkesë që çdo marrëveshje duhet të përfshijë një tërheqje izraelite nga Gaza dhe përfundimin e plotë të luftës. Teksa citon një zyrtar anonim të qeverisë izraelite BBC shkruan se Izraeli ka deklaruar se "në asnjë rrethanë nuk do të pranonte t'i jepte fund luftës si pjesë e një marrëveshjeje për lirimin e të pengjeve".

Netanyahu është përballur me presion nga brenda koalicionit të tij të ekstremit të djathtë për të vazhduar më tej ofensivën e premtuar prej kohësh në qytetin më jugor të Gazës, ku rreth 1.4 milionë njerëz janë strehuar pasi janë larguar nga luftimet në pjesët veriore dhe qendrore të Rripit.

SHBA, aleati më i madh diplomatik dhe ushtarak i Izraelit, heziton të mbështesë një ofensivë të re që mund të shkaktojë viktima të konsiderueshme civile dhe ka këmbëngulur për një plan për të mbrojtur palestinezët e zhvendosur. Demonstratat e së shtunës në Izrael ishin shfaqja e fundit e presionit të shtuar të brendshëm me të cilin po përballet Netanyahu për të siguruar kthimin e pengjeve.

Nga 252 që u rrëmbyen nga Hamasi më 7 tetor, 128 janë ende të pagjetur dhe mes tyre, të paktën 34 supozohen të vdekur./ BBC

/rtsh.al/