RTSH 24 Live

Aktualitet

Lezhë- Pezullohet nga detyra punonjësi i policisë, favorizoi një shtetas në një aksident rrugor  

23/04/2024

Lezhë- Pezullohet nga detyra punonjësi i policisë, favorizoi një shtetas në një aksident rrugor  

Drejtoria Vendore e Policisë Lezhë ka reaguar në lidhje me pezullimin nga detyra, të Oficerit të Policisë Gjyqësore Nën-komisar I. S., me detyrë specialist/OPGJ në Seksionin e Trafikut Urban dhe Interurban, në DVP Lezhë.

Sipas njoftimit të policisë, më datë 17.03.2024, në aksin rrugor “Lezhë-Milot”, shtetasi J. D., 24 vjeç, banues në Tiranë, duke drejtuar automjetin tip “Lexus”, është përplasur me automjetin tip “Benz” me drejtuese shtetasen L. J., 55 vjeçe, banuese në fshatin Tresh, Lezhë, e cila ka marrë ndihmë mjekësore, në spitalin e Lezhës, në gjendje jashtë rrezikut për jetën.   

Në lidhje me këtë ngjarje rrugore, nga ana e Policisë Rrugore Lezhë janë kryer të gjitha veprimet  e para hetimore në vend-ngjare, në zbatimin të ligjit, në konsultë me prokuroren e gatshme të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë.  

“Në përfundim të veprimeve të para hetimore, materialet janë referuar në Prokurori, më datë 18.03.2024, nga Oficeri i Policisë Gjyqësore I. S., në ngarkim të shtetasit J. D., për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor” dhe ky rast është pasqyruar në komunikatën ditore  të datës 18.03.2024, në të cilën janë pasqyruar ngjarjet dhe aktivitetet ditore të strukturave të Policisë, përgjatë 24 orëve të datës 17.03.2024. Më datë 15.04.2024, nga Prokuroria e Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë është sjellë urdhri i ekzekutimit të vendimit penal të  Gjykatës së Lezhës, për caktimin e masës së sigurisë “Pezullimi i ushtrimit të detyrës”, ndaj punonjësit të Policisë Nën-komisar I. S., pasi dyshohet se Nën-komisar I. S. ka shpërdoruar detyrën, duke favorizuar shtetasin J. D., duke mos sekuestruar automjetin e tij të përfshirë në ngjarje, por duke ia lënë në ruajtje.”, thuhet në njoftimin e policisë.  

Në zbatim të urdhrit të ekzekutimit të Prokurorit, Drejtoria e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit ka bërë pezullimin menjëherë nga detyra, të punonjësit të Policisë I. S. dhe ka nisur hetimin disiplinor për shkelje të rëndë të disiplinës.

/rtsh.al/