RTSH 24 Live

Kosovë

Lajçak: Kosova e Serbia kanë listë të gjatë të obligimeve të marrëveshjes së Ohrit dhe Brukselit

04/05/2024

Lajçak: Kosova e Serbia kanë listë të gjatë të obligimeve të marrëveshjes së Ohrit dhe Brukselit

I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë Miroslav Lajçak në një intervistë për mediat serbe, thotë se dy vendet duhet të fokusohen  tek zbatimi i plotë i marrëveshjes së Ohrit dhe Brukselit të arritura vitin e kaluar. Lidhur me Kosovën Lajçak thotë se duhet të fillojë krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe të pranojë projektstatutin evropian, ndërsa Serbia sipas tij duhet të përmbushë detyrimet e saj duke filluar me njohjen e simboleve, dokumenteve dhe institucioneve të Kosovës.

"Të dyja vendet dhe roli i tyre bashkëpunues do të matet vetëm në bazë të progresit në zbatimin e marrëveshjeve të arritura dypalëshe,  jo në bazë të veprimeve apo deklaratave publike të palës tjetër. Topi është në fushën e Serbisë dhe Kosovës dhe ne presim që ata të fillojnë të përmbushin detyrimet që dalin nga marrëveshja e vitit të kaluar”, tha Miroslav Lajçak, i dërguari i BE për dialogun Kosovë-Serbi.

Lajçak foli edhe për çështjen e dinarit serb, i cili nga 1 shkurti ndalohet të qarkullojë në Kosovë, ai tha se duhet gjetur një zgjidhje e përkohshme që të zbutet ndikimi i rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës në jetën e përditshme të popullsisë serbe. Ndërmjetësi evropian u drejtoi një thirrje vendeve të rajonit që aspirojnë të bëhen anëtare të Bashkimit Evropian.

Dera për integrimin evropian të Ballkanit Perëndimor është e hapur, ndaj vendet e rajonit duhet të përveshin mëngët tani. Mund të thuhet se ka qenë një periudhë premtimesh të pa mbajtura, një periudhë kur ajo derë nuk ishte plotësisht e hapur, por tani është dhe kjo mundësi nuk duhet humbur. Lufta në Ukrainë ndryshoi plotësisht gjithçka”, tha Lajçak.

Miroslav Lajçak konfirmoi se mandati i tij në ndërmjetësimin e dialogut Kosovë – Serbi përfundon më 31 gusht.

Gazetare: V. Zhari

/RTSH.