RTSH 24 Live

Aktualitet

Kumbaro me ndërtuesit e Himarës dhe Sarandës/ Urdhër për pezullimin e punimeve në bregdet gjatë sezonit

10/05/2024

Kumbaro me ndërtuesit e Himarës dhe Sarandës/ Urdhër për pezullimin e punimeve në bregdet gjatë sezonit

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit zhvilloi një takim me përfaqësues të bashkive Sarandë e Himarë si dhe të ndërtuesve në fushën e hotelerisë të cilët po operojnë në projekte të strukturave akomoduese në këto bashki.

Ministrja Kumbaro u kërkoi subjekteve ndërtuese të jenë të gatshme të bashkëpunojnë për mbarëvajtjen e sezonit turistik veror.  Çdo biznesi do t’i dërgohet urdhri nga bashkitë përkatëse për të reduktuar punimet dhe për t’i ndërprerë ato totalisht në fundjavë.

Nuk mundet që ndërsa një hotel është i tëri i rezervuar me pushues, në kantierin ngjitur të dëgjohet zhurma e betioniereve, vinçave, kamionëve e matrapikëve. Prioritet do të jenë pushuesit. Gjatë fundjavave, punimet nuk do të lejohen as jashtë e as brenda ndërtesave dhe kjo do të jetë e panegociueshme. Është e domosdoshme të bashkëjetojmë me rregulla. Bashkitë do të ngarkohen me përgatitjen e urdhrave të cilat do t’i shkojnë çdo biznesi, por sidomos me zbatimin e tyre. Pezullimi i punimeve në fundjava duhet të nisë që tani, ndërsa nga muaji qershor punimet duhet të ndalen deri në fund të sezonit veror”, është shprehur ministrja Kumbaro.

Patjetër që ecim drejt vizionit të Shqipërisë 2030 me standarde dhe struktura ekselente shërbimi, por na duhet koordinimi në mbarëvajtjen e këtij sezoni veror derisa të përfundojnë punimet e kantiereve”, shtoi Kumbaro. 

Gjatë takimit ministrja Kumbaro theksoi me rëndësi dimensionin estetik në hapësirat e jashtme të kantiereve të ndërtimit. 

Në fund të takimit, Kumbaro rikujtoi se për shkak të flukseve të larta turistike, ky vit do të jetë ‘prova e zjarrit’ për menaxhimin e suksesshëm të sezonit veror, duke paralamëruar edhe një tur inspektimesh në bashkitë bregdetare. 

Katër muajt e parë të vitit 2024 kanë sjellë 2,3 milionë vizitorë të huaj, ose 38% më shumë se një vit më parë. 

/rtsh.al/