RTSH 24 Live

Kosova

Kryeministri Kurti kërkon shtyrjen e zgjedhjeve, opozita në bllok kundër

13/09/2021

Kryeministri Kurti kërkon shtyrjen e zgjedhjeve, opozita në bllok kundër

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se partia e tij, Lëvizja Vetëvendosje, është për shtyrjen e zgjedhjeve lokale, të caktuara tash për tash për datën 17 tetor. Kurti dhe kryetarët e tjerë të partive politike u pritën të hënën në takim nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, me qëllim diskutimin e datës së zgjedhjeve.

Takimi u zhvillua pas një letre të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), me të cilën u rekomandua shtyrja e zgjedhjeve, për shkak të situatës së rënduar pandemike. Kosova, javëve të fundit, është përballur me valë të rëndë të infektimeve dhe vdekjeve nga koronavirusi. Të hënën, përqindja e të infektuarve ka qenë në rënie të lehtë.

“Në mënyrë që ky përmirësim të mos ndalet dhe në mënyrë që të mos kemi një valë të re - për shkak se varianti Delta [i koronavirusit] është eksploziv në muajt nëntor dhe dhjetor - ne jemi për shtyrjen e zgjedhjeve. Sidoqoftë, ne nuk e imponojmë qëndrimin tonë. Le të merret cilido vendim që merret, ne do ta respektojmë atë. Por, jemi të brengosur, meqenëse nuk krahasohen zgjedhjet lokale me zgjedhjet parlamentare nacionale, nuk janë 110 kandidatë, janë diku 900 kandidatë... dhe nuk votohet vetëm një herë, por do të kemi edhe balotazh”, tha Kurti.

Ai nuk tregoi se për sa kohë është kërkuar shtyrja e zgjedhjeve. Pas takimit me presidenten Osmani, përfaqësuesit e partive opozitare u shprehën kundër shtyrjes së zgjedhjeve.