RTSH 24 Live

Politikë

Komisioni hetimor për Shëndetësinë, Vokshi: Humbën kohë nga bojkoti i PS! Ndreca: Mbledhjet u thirrën në mënyrë të njëanshme

23/04/2024

Komisioni hetimor për Shëndetësinë, Vokshi: Humbën kohë nga bojkoti i PS! Ndreca: Mbledhjet u thirrën në mënyrë të njëanshme

Pas dështimit të 4 mbledhjeve për shkak të mungesës së PS, Komisionit hetimor për kontrata e sterilizimit dhe check up në Shëndetësi është mbledhur ditën e sotme (23 prill) ku pritet të miratohet plani i hetimor i këtij komisioni.

Që në nisje të mbledhjes ka pasur përplasje mes opozitës dhe mazhorancës. Kryetarja e komisionit, Albana Vokshi tha se mazhoranca u rikthye pas 4 mbledhjesh të bojkotuara duke sjellë bllokim të punës dhe humbje kohe në hetimin që ka ky komision.

Mazhoranca nuk pranoi se kishte bojkotuar mbledhjet, ku nënkryetari Plarent Ndreca tha se thirrja e mbledhjeve ishte e njëanshme dhe e pa koordinuar me anëtarët.  Ai tha se deklaratat e bëra për “bojkotin e PS, janë thjeshtë politike për show mediatik”.

Diskutimi në komision

Vokshi: Mazhoranca iu rikthye detyrave që parlamenti na ka dhënë si anëtarë të komisionit hetimor për sterilizimin dhe check up pas bojkotit të 4 mbledhje radhazi në shkelje të ligjit. Kemi humbur më shumë se 2 javë kohë nga bojkoti i PS dhe na duhet të mblidhemi më shpesh në vijim. Do kërkoj bashkëpunimin e të gjithë deputetëve në respekt të ligjit për komisionet hetimor dhe rregullores së Kuvendit.

Ndreca: Më vjen keq që e nisni komisionin me deklarata politikë që nuk i shkojnë frymës që duhet të ketë ky komisionin. Shumica nuk e ka bojkotuar asnjë sekondë këtë komision, thirrja për mbledhje nuk është mbledhje, pasi janë të njëanshme , mbledhjet duhet të jenë të koordinuara. Ne nuk kemi ca të bojkotojmë  kur s’ka pasur mbledhje të koordinuar. Sot kemi një mbledhje të koordinuar dhe ja ku jemi. Ne nuk kemi bojkotuar në asnjë sekondë dhe kemi punuar intensivisht me një Plan Hetimor, atë që ju nuk e keni bërë prej vitesh. Nuk është e vërtetë që nuk kemi bërë punë, t’i lëmë deklarata politike për konsum mediatik pasi nuk janë për punën efeciente të këtij komisioni.

Vokshi: Kam zbatuar në mënyrë rigoroze ligjin që keni miratuar vetë, ku mbledhjet thirren nga kryetari. Unë mund të thërras kurdo mbledhje dhe ajo është e detyrueshme, do apo jo mazhoranca.

Lidhur me hetimin e kontratave për sterilizimin dhe check up, mazhoranca ka gati edhe propozimin për planin paraprak të hetimit me 7 pika, ku pritet të diskutohet në komision.

Hapi 1: Përcaktimi i Qëllimeve dhe Objektivave të Hetimi

Hapi 2: Përcaktimi i Kufijve dhe Juridiksionit të Hetimit

Hapi 3: Strukturimi i Ekipit Hetimor

Hapi 4: Planifikimi i Procesit të Mbledhjes së provave

Hapi 5: Seanca të Dëgjimit dhe Analizë

Hapi 6: Raportimi dhe Rekomandimet

Hapi 7: Ndërmarrja e Veprimeve të Mëtejshme

/rtsh.al/