RTSH 24 Live

Politikë

Këshilli Bashkiak i Tiranës miraton dhënien e titullit “Qytetar Nderi” për Ali Ahmetin

30/04/2024

Këshilli Bashkiak i Tiranës miraton dhënien e titullit “Qytetar Nderi” për Ali Ahmetin

Ka përfunduar të martën mbledhja e Këshillit Bashkiak, në të cilën janë miratuar disa vendime të rëndësishme për qytetarët, si ndihma ekonomike për njerëzit në nevojë, apo bonuset e qirasë dhe dëmshpërblimet për ata që kanë pësuar aksidente me zjarret në shtëpitë e tyre.

“Anëtarët socialistë miratuan me shumicë votash dhënien e titullit “Qytetar Nderi” për kryetarin e BDI, Ali Ahmeti, partia më e madhe shqiptare në Maqedoninë e Veriut, si dhe emërtimi i një rruge në Tiranë me emrin e Remzi Hoxhës, biznesmenit të zhdukur në vitin 1995 nga SHIK-u i Sali Berishës.”, thuhet në njoftimin për shtyp.

Këshilli Bashkiak miratoi edhe emërtimin e një rruge me emrin e Tomor Malasit, ish deputet i PD-së dhe ish kryetar bashkie i Tiranës në vitet 1991-’92.

Po ashtu, u miratua shpërblimi financiar për klubin e futbollit Partizani, pas triumfit në kampionatin kombëtar të Kategorisë Superiore për sezonin 2022-2023.

Veliaj: Tirana e ‘94 me ndërtime pa leje nuk do të kthehet kurrë pas

Kryebashkiaku Erion Veliaj siguroi qytetarët e Tiranës se Tirana nuk do të rikthehet më në kohën e ndërtimeve pa leje dhe kur plehrat mbulonin qytetin. Duke folur në mbledhjen e Këshillit Bashkiak, Veliaj tha se Tirana është e pandalshme në rrugën e saj të transformimit, ndërsa ata që protestojnë jashtë godinës së Bashkisë duan të kthehen në kohën e ndërtimeve pa leje.

“Tirana është sot ku e ku më e pastër. Ne kemi gjetur një Tiranë ku këta që këndojnë si gjeli në majë të plehut, e kishin mbushur gjithë Tiranën pleh. Dhe këta që i ka marrë malli për kioskat, këta i ka marrë malli për Parkun Rinia që qelbej, këta i ka marrë malli që loznin bilardo mbi Lanë, mbi fekale, këta i ka marrë malli të ndërtojne kuturu në sheshin Skënderbej apo në çdo hapësirë publike, siç ka qenë Liqeni i Tiranës. Këta janë të njëjtët njerëz që merrnin pistoleta me vete kundër këndit të lodrave dhe sot janë stan me lepuj. Dhe po të shikosh, vija tani në sheshin “Skënderbej”, mbushur sheshi me turistë qe fotografonin këta në 2024, që kanë nostalgji Shqipërinë e 1994. Po ju’a them qartë: Shqipëria dhe sidomos Tirana e 94 nuk do të kthehet kurrë pas! Nuk ka asnjë shans! Jo në paralele dhe në palestër, por edhe në majë të  Himalajës të shkojë ai që ka lepurin në bark dhe jo në ballkon te shkolla “Kosova - ku meqë ra fjala donte ta bënte pallat - ata nuk kanë çfarë i bëjnë Tiranës. Unë jam i zgjedhur nga qytetarët e Tiranës, ju jeni shumica dërrmuese të zgjedhur nga qytetarët e Tiranës dhe ju garantoj se kur të shkruhet historia e këtij qyteti do mbeten veprat”, tha Veliaj.

Protesta e opozitës

Opozita kishte paralajmëruar një protestë pak para zhvillimit të mbledhjes së Këshillit Bashkiak të Tiranës, gjë që ka detyruar kryesinë e Këshillit Bashkiak të marrë vendimin që mbledhjen të zhvillohet online.

Lidhur me këtë zhvillim ka reaguar edhe këshilltari për Çështjet Ekonomike në ‘Rithemelimin’ e PD-së, Dorian Teliti, i cili ka folur për mediat përpara ambienteve të Bashkisë së Tiranës.

Sipas tij, mbajtja e mbledhjes online nga këshilltarët bashkiakë është e palejueshme, pasi theksoi “fjalën e lirë dhe shpirtin opozitar nuk e ndal askush”.

“Anulimi i mbledhjes të Këshillit Bashkiak është e palejueshme. Fjalën e lirë dhe shpirtin opozitar nuk e ndal askush. Veliaj edhe kur nuk ndodhet në zyrë, por në SPAK, jep urdhra që mbledhja e Këshillit Bashkiak të Tiranës të zhvillohet online. Ky është shembulli më i keq i qeverisjes, kundër interesave të popullit.”, tha Teliti.

/rtsh.al/