RTSH 24 Live

Botë

Kërcënimi i SHBA për mosdërgim armësh në Izrael, Netanjahu: Do luftojmë me thonjtë tanë

10/05/2024

Kërcënimi i SHBA për mosdërgim armësh në Izrael, Netanjahu: Do luftojmë me thonjtë tanë

Kryeministri Benjamin Netanjahu (Netanyahu) është zotuar se Izraeli do të qëndrojë i vetëm dhe do të "luftojë me thonj" në kundërshtim me kërcënimet e SHBA për të kufizuar më tej dërgesat e armëve nëse vazhdohej ofensiva në qytetin jugor të Gazës, Rafah.

“Nëse duhet të qëndrojmë vetëm, do të qëndrojmë vetëm. Nëse duhet, do të luftojmë me thonjtë tanë. Por ne kemi shumë më tepër se thonjtë”, tha Netanjahu.

Ai vuri në dukje se Izraeli po i afrohej 76 vjetorit të pavarësisë së tij, për të cilën duhej të luftonte. "Ne nuk kishim armë. Kishte një embargo armësh ndaj Izraelit, por me forcë të madhe shpirti, heroizëm dhe unitet mes nesh – ne ishim fitimtarë ", tha ai, duke iu referuar luftës së vitit 1948 .

Një ditë më parë delegacionet izraelite dhe të Hamasit u larguan nga negociatat për armëpushimin në Kajro.

Hamasi tha se "topi tani është plotësisht" në duart e Izraelit, ndërsa Izraeli ka pohuar se versioni i Hamasit i një marrëveshjeje ishte shumë larg kërkesave të tij.

Dështimi për të arritur një marrëveshje në raundin e takimeve të kësaj jave ngriti frikën për një sulm të afërt izraelit në Rafah.

Netanyahu u duk se nuk e pranoi një paralajmërim publik nga presidenti amerikan, Xho Bajden (Joe Biden), një natë më parë se nëse Forcat e Mbrojtjes të Izraelit (IDF) do të nisnin një ofensivë të madhe në qytet, SHBA nuk do të siguronte bomba dhe predha artilerie për të mbështetur operacionin.

/rtsh.al/