RTSH 24 Live

Ekonomi

Kafeneja, biznesi i preferuar në Shqipëri, Gogo: Hapja e lokaleve nga kushdo, po prish tregun

23/04/2024

Kafeneja, biznesi i preferuar në Shqipëri, Gogo: Hapja e lokaleve nga kushdo, po prish tregun

Sipas të dhënave të INSTAT, aktivitetet e pijeve dhe shërbimit ushqimor në vendin tonë zënë 13.5% të totalit, që është më e larta në Europë.

Kafenetë kanë shënuar rekord me mbi  650 mln euro fitime, por kryetari i Shoqatës së Bartenderave Kleantino Gogo ka identifikuar edhe disa problematika.

Në studion e emisionit “Jetë Shqiptare” në RTSH, Gogo tha se baret dhe restorantet po shihen si aktivitete që gjenerojnë të ardhura dhe për pasojë këto biznese po hapen edhe nga persona jo profesionistë. Sipas tij, ky fakt dhe po ashtu ulja e çmimeve, po sjellin prishjen e tregut.

Disbalanca është që ka shumë konkurrencë në këtë industri ku ulin çmimin, nuk e shohin këtë të cilësoren e vet. Prishin tregun. Ka edhe jo profesionistë që investojnë në bare dhe restorante vetëm me mendimin se është një biznes që ecën dhe kjo ka sjellë prishjen e tregut. Ne jemi shumë dakord kur konkurrenca është në bazë të produktit, mikpritjes etj.. Prishjen e tregut e kanë sjellë këto çmime dhe hapja e bareve nga kushdo, mungesa e një standardizimi për dikë që hap një barë dhe restorant dhe numri i bareve, ku në një rrugicë shohim 20 bare. Këto bare mund të mbushen plot për një fashë orari të caktuar në mëngjes, edhe njëherë në drekë dhe pastaj lidhim kokën me peshqirë të gjithë ne që kemi investuar”, shpreh ai.

/rtsh.al/