RTSH 24 Live

Botë

Izraeli me grup të stilit “Vagner” në ushtri. SHBA gati t’u vendosë sanksione

23/04/2024

Izraeli me grup të stilit “Vagner” në ushtri. SHBA gati t’u vendosë sanksione

Për herë të parë, Shtetet e Bashkuara pritet të vendosin sanksione ndaj një njësie ushtarake izraelite. Batalioni Netzah Yehuda, i krijuar fillimisht për të pritur hebrenjtë ultra-ortodoksë të Izraelit,  u zgjerua shpejt për t'u bërë një njësi popullore për kolonët e krahut të djathtë radikal.

Ky grup është akuzuar gjatë viteve për një sërë abuzimesh të të drejtave të njeriut kundër palestinezëve në Bregun Perëndimor.

Batalioni Netzah Yehuda është një batalion i cili u krijua për të lejuar izraelitët fetarë të shërbejnë në ushtri duke respektuar bindjet e tyre fetare.

Mediat izraelite dhe ato amerikane raportuan se administrata Biden po përgatitet për të sanksionuar Netzah Yehuda.

Duke cituar tre burime të paidentifikuara amerikane me njohuri për këtë çështje, uebsajti i lajmeve Axios tha se Sekretari i Shtetit i SHBA Antony Blinken pritet të njoftoj lëvizjen e paprecedentë kundër Forcave të Mbrojtjes izraelite (IDF).

Sanksionet kanë të bëjnë me abuzimet e të drejtave të njeriut të kryera nga njësia në Bregun Perëndimor përpara sulmit të Hamasit në Izrael më 7 tetor.

Lajmi shkaktoi reagime të ashpra. Kryeministri Benjamin Netanjahu shkroi në X, duke e përshkruar perspektivën e sanksioneve si “kulmin e absurditetit dhe nivel i ulët moral” në një kohë kur forcat izraelite sipas tij po luftojnë në Gaza kundër Hamasit.

Benny Gantz, rivali politik i Netanjahut dhe një ministër kyç i qendrës në kabinetin e luftës të Izraelit, u përgjigj në një mënyrë të ngjashme: “Ne kemi respekt të madh për miqtë tanë amerikanë, por vendosja e sanksioneve ndaj njësisë është një precedent i rrezikshëm dhe dërgon mesazhin e gabuar për të tjerët.”

Netzah Yehuda nuk është një njësi e zakonshme. I krijuar në vitin 1999, grupi u projektua për të pritur hebrenjtë ultra-ortodoksë në ushtri duke u lënë atyre kohë për të ruajtur praktikat e tyre fetare dhe duke kufizuar ndërveprimet me ushtaret femra.

Komuniteti ultra-ortodoks i Izraelit zakonisht përjashtohet nga shërbimi i rreptë ushtarak i shtetit. Me kalimin e viteve, statusi i veçantë dhe përfitimet e njësisë kanë bërë që edhe rabinët e përkushtuar të ken kohën e tyre të lutjeve dhe praktikimit fetar edhe pse janë në ushtri. Kjo ka sjellë një debat të nxehtë në Izrael, me disa që kritikojnë trajtimin e veçantë, transmeton France 24.

Në një investigim i vitit 2022 mbi pretendimet e abuzimit kundër Netzah Yehuda, Wall Street Journal (WSJ) shkroi se "një nga vendimet më të diskutueshme rreth grupit ishte kufizimi i shërbimit në Bregun Perëndimor".

/rtsh.al/