RTSH 24 Live

Europë

Gonxato: Devijimi nga sundimi i ligjit do shkonte në kurriz të shqiptarëve

10/05/2024

Gonxato: Devijimi nga sundimi i ligjit do shkonte në kurriz të shqiptarëve

Ambasadori i Bashkimit Europian në vend, Silvio Gonxato (o. Gonzato) përgëzoi të premten Shqipërinë për "arritjet e rëndësishme" për sa i përket sistemit drejtësisë.

Me rastin e 111-vjetorit të Ditën së Drejtësisë, në një mbledhje të përbashkët të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, në praninë edhe të presidentit Bajram Begaj, diplomati italian inkurajoi vendin t'i qëndrojë kursit aktual dhe të mos bëjë hapa prapa nga e shkuara.

"Vullneti i Shqipërisë për të konsoliduar sundimin e ligjit, pra orientimin e vet proeuropian dhe miratimin e modeleve më të mira të BE-së janë të rrënjosura thellë që prej qeverisë së parë të pavarur të Ismail Qemalit. Fatkeqësisht Shqipëria kaloi 50 vite të një sistemi gjyqësor të kontrolluar në mënyrë absolute nga qeveria dhe ku u duk qartë që nuk kishte respekt për të drejtat e njeriut, për sa i përket gjykimit, pronës private apo për trajtimin çnjerëzor dhe degradues. Pasojat janë ende të dukshme sepse një sistem drejtësie i padrejtë dhe i pabarabartë lë vërtet gjurmë të thella për breza të tërë," tha z. Gonxato. 

Ambasadori veçoi konsolidimin e institucioneve të drejtësisë dhe punën e SPAK-ut, që sipas tij kanë krijuar një sistem drejtësie të drejtë, të konsoliduar dhe të pavarur: një premtim për brezat e ardhshëm. 

"Sot, në datën 10 maj, Ditën e Drejtësisë, ne festojmë këtë angazhim që ka marrë Shqipëria për të ecur përpara me konsolidimit e sundimit te ligjit dhe luftën kundër mosndëshkueshmërisë. Ka shumë arsye pse të festojmë sot: krijimin, por edhe konsolidimin e institucioneve vetëqeverisëse të drejtësisë, të cilat sot do të bashkërendojnë praktikat dhe punën e tyre; ecurinë e SPAK-ut në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar ose funksionalitetin e plotë të Gjykatës së Lartë, e cila për herë të parë që prej krijimit të saj ka numrin e plotë të gjyqtarëve të karrierës apo largimin nga sistemi të prokurorëve dhe gjyqtarëve të korruptuar nëpërmjet procesit të vetingut, një masë tërësore dhe e domosdoshme, e jashtëzakonshme. Këto arritje shënojnë një gur të rëndësishëm kilometrik në rrugëtimin e Shqipërisë për të konsoliduar sundimin e ligjit. Për këtë u desh kurajë, guxim, dhe prandaj gjyqësori ka arsye pse të jetë krenar," deklaroi ambasadori i BE-së.

Megjithatë, për diplomacinë europiane, reforma në drejtësi që ka ndërmarrë Shqipëria nga korriku i vitit 2016 nuk mbetet e pasfiduar.

"Këtë javë kemi edhe Javën e Europës në gjithë Shqipërinë për të promovuar vlerat kryesore të BE-së, si larmia në shoqëri, gjithëpërfshirja dhe të drejtat e njeriut. Sistemi i drejtësisë luan një rol kyç në konsolidimin e këtyre vlerave dhe për t'i ankoruar ato thellësisht në shoqëri. Kjo do arrihet me vendime të mirëarsyetura dhe të drejta, me anën e cilësisë së magjistratëve dhe trajnimit të tyre dhe më shumë e rëndësishme me pavarësinë dhe integritetin e tyre. Shqipëria ka bërë hapa të rëndësishëm në këto fusha dhe nuk mund të lejojmë që të ketë hapa pas. Arritjet e SPAK-ut duhet të jenë të pakthyeshme. Çfarëdolloj përpjekjeje për të shmangur këto rezultate do të vijë në kurriz të pritshmërisë që kanë gjithë shqiptarët për vendin e tyre. Koherenca në këto përpjekje dhe punë është shumë e rëndësishme," u shpreh ambasadori Gonxato.

/rtsh.al/